Ndeshja e parë si titullar në kampionat, Broja merr vlerësime pozitive nga mediat pranë klubit të Bërnlit

Armando Broja nuk la shenjë duke gjetur rrjetën në ndeshjen e tij të parë si titullar me fanellën e Bërnlit në Premier Ligë. Por paraqitja e tij ndaj Njukasëll sot në 86 minuta që ishte në fushë, ka marrë vlerësime pavarësisht humbjes 2-1.

Sulmuesi u sakrifikua shpesh edhe në mbrojtje në momentet kur ekipi ishte në vështirësi pasi kishte mbetur me 10 lojtarë, ndërsa bëri në mënyrë të pandalur presing te mbrojtja kundërshtare duke kërkuar të rifitonte topin.

Ndaj për këtë paraqitje, portali “Burnley Express”, i cili mbulon zakonisht klubin në fjalë, i ka vendosur notën 7 sulmuesit.

“Bëri mirë në ndeshjen e tij të parë si titullar në kampionat me Bërnlin duke luftuar dhe konkurruar për gjithçka. Kishte një mundësi në fillim kur një bllokim i tij u kthye drejt portës”, shkruante portali në fjalë duke vlerësuar paraqitjen e Brojës për përpjekjen që kishte bërë në këtë takim ndaj një rivali të fortë si Njukasëll.


Shtuar 6.12.2025 22:15

Tags: