Ajo që nisi me përshëndetje formale mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë të Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u kthye shumë shpejt në një raund të gjatë negociatash në Kremlin. Në tryezën e madhe karakteristike të Kremlinit, ku Putini qëndron fizikisht në distancë nga të ftuarit, tema kryesore ishte e ardhmja e luftës në Ukrainë.
Takimi, i planifikuar për të martën pasdite, nisi me rreth 90 minuta vonesë pasi Putini ishte duke marrë pjesë në një forum ekonomik, ku prej andej lëshoi mesazhe të forta në drejtim të Evropës. Pamje të publikuara nga agjencia ruse RIA tregojnë momentet e para të takimit, me Putin që përshëndet miqësisht delegacionin amerikan, duke i pyetur për shëtitjen e tyre në Moskë. Witkoff e përshkroi kryeqytetin rus si “një qytet të mrekullueshëm”.
Fotot e shpërndara nga Kremlini tregojnë përbërjen e tryezës: në të djathtë të Putinit qëndron këshilltari i politikës së jashtme, Yuri Ushakov; ndërsa dy vende më tej ulet Kirill Dmitriev, drejtori i Fondit Rus të Investimeve të Drejtpërdrejta. Përballë tyre, Witkoff dhe Kushner përfaqësojnë palën amerikane. Më herët, dy të dërguarit amerikanë kishin konsumuar një drekë pune me Dmitriev, një prej njerëzve më të afërt me Putinin.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi sot se Uashingtoni dhe Kievi kanë rënë dakord për një plan 20-pikësh. Ai bëri të ditur se negociatorët amerikanë dhe ukrainas kanë avancuar kornizën e një marrëveshjeje paqeje, e hartuar fillimisht në Gjenevë dhe e detajuar në takimet e fundit në Florida.
Sipas Zelenskyt, Ukraina dëshiron një angazhim më të madh të shteteve evropiane në proces, por mbeten tre çështje tepër të vështira: çfarëdo kompromisi territorial, përdorimi i aseteve të ngrira ruse dhe krijimi i një “aleance të vullnetarëve”, vende që do të mbështesin zbatimin e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje.
Takimi në Kremlin shihet gjerësisht si një nga kontaktet më të rëndësishme mes administratës Trump dhe Moskës përpara çdo lëvizjeje të re diplomatike mbi konfliktin në Ukrainë.
