Rama sulmon të rinjtë që protestojnë: Revolucion studentor imagjinar, u heroizua një turmë prej 1500 persona, maska e kapuçë të zinj në ballë

Studentë dhe të rinj prej muajsh i kërkojnë kryeministrit Edi Rama, ndërsa ditët e fundit kërkesa e tyre është intesfikuar me protesta që janë përshkallëzuar edhe në dhunë.

Por, kreu i qeverisë në vend që t’i dëgjojë ka zgjedhur që t’i sulmojë ata në mënyrat nga më të ndryshmet.

Të lidhura

None found

Teksa kritikon edhe mediat, Rama shkruan se në kulmin e protestës bëhej fjalë për rreth 1500 persona, nga këta 500 me maska dhe kapuçë.

Rama pretendon se kjo pjesë e protestuesve, nuk kishte lidhje me problematikat dhe shqetësimet e studentëve apo të familjeve shqiptare.

“Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit”, shkruan Rama.

Rama mbrojti veprimet e policisë, duke pretenduar se ajo ka përmbushur detyrën e saj dhe nuk ka lejuar që dhuna e ushtruar ndaj efektivëve ta nxjerrë jashtë misionit të saj.

“Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik”, shkruan kryeministri.

Postimi i Ramës

👉 Ja PASQYRA E TURPIT të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm👺

Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës:

Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë🇪🇺

Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur🇦🇱

Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik🙏

Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet🤮

Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit🤡

Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës👽

* I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore👿

STUDENTËT E VËRTETË JANË ATA QË DUAN TA SFIDOJNË POLITIKËN DHE QEVERINË PA NGRITUR DORËN KUNDËR KUNDËR PRONËS PUBLIKE E PRIVATE, PO DUKE TREGUAR ME GISHT PLAGËT QË KËRKOJNË SHËRIM ME DIALOG DHE ANGAZHIM TË PËRBASHKËT❤️


Shtuar më 22.10.2026 12:35