Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, ka finalizuar një operacion hetimor që ka çuar në zbulimin e një skeme abuzive të shkeljes së detyrës nga disa punonjës të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Gjatë hetimeve u dokumentua se disa prej inspektorëve të kësaj agjencie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar të dhëna në aktet e verifikimit për fermerët përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes. Sipas informacioneve, punonjësit nuk kryenin kontrollin në terren për gjendjen faktike të kafshëve, ndërsa dyshohet se kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma që varionin nga 10 deri në 50 mijë lekë (të reja) për çdo aplikim, me qëllim kualifikimin e padrejtë të fermerëve për subvencione.
Në kuadër të këtij operacioni, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 9 shtetasit e përfshirë, konkretisht Andrea Miha, Julian Zgura, Entela Gjata, Ermal Ibri, Dritan Çela, Përparim Rustemi, Bruno Berberi, Endrit Ferati dhe Fatos Ibi.
Sipas të dhënave të deritanishme, veprimtaria e tyre kriminale ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
