Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në bashkinë Dropull, ku ura e Glinës është shembur pjesërisht, duke bllokuar lidhjen me pesë fshatra të zonës së Rrëzës së Zezë: Glinë, Radat, Peshkëpi e Sipërme, Peshkëpi e Poshtme dhe Vrahogoranxi.
Gjithashtu, i ndërpritet qarkullimi edhe fabrikës së Glinës, një prej subjekteve kryesore ekonomike të zonës.
Shembja ka ardhur pasi një nga këmbët mbajtëse të urës është rrëzuar, duke e bërë strukturën të pakalueshme dhe të rrezikshme për qarkullim.
Banorët mbeten të izoluar dhe aktualisht nuk ka asnjë rrugë funksionale që mund të përdoret për qarkullim normal.
Bashkia Dropull, njofton se po shqyrton mundësinë e hapjes së një rruge dytësore të përkohshme për të mundësuar lëvizjen e banorëve dhe furnizimin me produkte të domosdoshme.
Specialistët e terrenit po vlerësojnë dëmet dhe rrezikshmërinë e zonës, ndërsa kërkohet ndërhyrje emergjente për rikonstruksionin pasi ura aktuale është aktualisht jashtë funksionit.
