Kryeministri Edi Rama do të mbledhë nesër ora 09:00 qeverinë në një mbledhje urgjente. Mbledhja e qeverisë vjen një ditë pasi GJKKO pezulloi zv.kryeministren nga detyra e saj, pasi ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
Nuk ka ende një informacion zyrtar lidhur me agjendën e mbledhjes, por mbetet për tu parë nëse Rama do të shkarkojë nesër Ballukun nga postet e saj qeveritare.
Ministrja Balluku është marrë e pandehur rreth tre javë më parë nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Deri më tani ajo është zyrtarja më e lartë e qeverisë Rama, e cila ndodhet nën akuza nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.



