Buxheti 2026, barra shtesë mbi konsumatorët

Projektbuxheti 2026 vjen këtë herë me një zhvendosje të lehtë të politikës buxhetore drejt kapitalit njerëzor, duke kombinuar qëndrueshmërinë fiskale me rritje të shpenzimeve për paga, pensione dhe investime në infrastrukturë.

Buxheti 2026 nuk sjell taksa të reja, por rrit të ardhurat përmes efekteve indirekte të rritjes së pagave, inflacionit dhe formalizimit.

Më i fituari del shteti, pasi barrën më të madhe e mbartin punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset e mëdha do të mbajnë vetëm një pjesë të vogël të kësaj shtese.

Në krahun tjetër, rreth një e treta e shpenzimeve totale prej 886.7 miliardë lekësh shkon për mbrojtje sociale dhe paga në sektorin publik më 2026, ndërsa shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë së bashku nuk i kalojnë 4.6% të PBB-së, një nivel që mbetet dukshëm nën mesataren e rajonit, ku këta sektorë arrijnë 6–7% të PBB-së.

Ndarja e shpenzimeve buxhetore tregon për një orientim të politikës fiskale drejt menaxhimit të menjëhershëm të kostove sociale, në vend të investimeve strukturore që gjenerojnë produktivitet afatgjatë.

Të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 823.7 miliardë lekë, me shtim rreth 53 miliardë lekë ose 7% më shumë, që pritet të mbështet nga rritja e pagave dhe formalizimi i tregut të punës.

Në këtë mënyrë, qeveria synon të rikthejë te qytetarët një pjesë të rritjes ekonomike të arritur në dy vitet e fundit, pa e rënduar borxhin publik, pasi deficiti buxhetor mbeti në nivelin 63 miliardë lekë, me rritje rreth 2% nga ky vit.

Balanca mes mbledhjes së të ardhurave dhe shpërndarjes së tyre është përmirësuar, për shkak të një politike më agresive për rritjen e pensioneve.

Shpenzimet sociale dhe pagat publike përbëjnë tashmë më shumë se gjysmën e buxhetit total, ndërsa investimet kapitale, të mbajtura në nivelin 6.5% të PBB-së. Në këtë buxhet po synohet një tranzicion social, që përpiqet ta afrojë Shqipërinë me standardet rajonale.

Kush do të paguajë më shumë në 2026

Projektbuxheti 2026 parashikon një rritje të konsiderueshme të të ardhurave, që do të kapin nivelin e 823 miliardë lekëve, ose 29.6% të PBB-së. Në krahasim me vitin 2025, të ardhurat buxhetore pritet të jenë rreth 53 miliardë lekë më shumë, një rritje që vjen më shumë nga rritja e pagave, inflacioni dhe formalizimi, sesa nga zgjerimi i bazës fiskale. Barrën kryesore të rritjes së të ardhurave do ta mbajnë punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset e mëdha do të kontribuojnë në një masë më të kufizuar.

Rritja e pagave, burimi më i fortë i të ardhurave të reja

Rreth 28% të të ardhurave shtesë prej 53 miliardë lekësh në vitin 2026 pritet të vijnë nga efekti i rritjes së pagës minimale nga 40 në 50 mijë lekë, që hyn në fuqi nga 1 janari 2026. Kjo politikë është gjeneruesi kryesor që shton të ardhurat në 2026.

Efekti nga masat tatimore/buxhetore si indeksimi i pagës në administratën publike dhe rritja e pagës minimale është rreth 11,82 miliardë lekë, nga të cilat rreth 9 miliardë lekë nga rritja e pagës minimale dhe 2,79 miliardë lekë nga indeksimi i pagës në administratës publike.

Gjithashtu, një shumë tjetër prej 3.6 miliardë lekësh do të jenë efektet pozitive nga rritja e arkëtimeve nga TAP si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale.

Në total, kontributet e sigurimeve do të arrijnë në 196.9 miliardë lekë, me një rritje 11.4% krahasuar me 2025. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e shtesës së të ardhurave do të vijë nga tatimpaguesit e punësuar, të cilët po paguajnë më shumë për shkak të rritjes së pagave dhe zgjerimit të bazës së sigurimeve.

TVSH-ja, burimi më i madh i arkëtimeve

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) mbetet burimi më i rëndësishëm i të ardhurave. Për projektbuxhetin e vitit 2026, TVSH-ja neto pritet të arrijë në 242.5 miliardë lekë, me rritje 7% krahasuar me vitin 2025.

Ky zë mbulohet kryesisht nga konsumi i brendshëm, ndaj çdo rritje çmimesh apo zgjerim i shpenzimeve familjare përkthehet menjëherë në më shumë të ardhura për shtetin.

Rritja e inflacionit (3%) dhe rritja ekonomike (4%) përllogariten të shtojnë mbi 20 miliardë lekë në arkëtime, ndërsa Strategjia Afatmesme e të Ardhurave (SAA) dhe administrimi digjital do të japin një tjetër efekt pozitiv prej rreth 11 miliardë lekësh. Edhe në këtë kategori, konsumatorët janë kontribuuesit kryesorë të rritjes së të ardhurave, përmes taksave në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Tatimi mbi fitimin, preket vetëm teknologjia

Tatimi mbi fitimin për vitin 2026 parashikohet në 65 miliardë lekë, me rritje 7.8%. Kjo vjen kryesisht nga normalizimi i pagesave të kësteve pas një viti të dobët në 2025, si dhe nga heqja e normës së reduktuar 5% për sektorin e teknologjisë, që nga janari do të tatohet me 15%, një masë që shton në buxhet rreth 0.5 miliard lekë.

Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) arrin 88.3 miliardë lekë, me rritje 4.9%, falë shtimit të numrit të punonjësve dhe rritjes së pagave. Edhe në këtë rast, ndikimi kryesor vjen nga individët e punësuar, jo nga bizneset. Këto të dhëna tregojnë se tatimet direkte nga kompanitë mbeten kontribuues me një pjesë të kufizuar në totalin e arkëtimeve dhe se potenciali për rritje është ende i pashfrytëzuar.

Akcizat dhe taksat e konsumit, barra sërish te konsumatorët

Akcizat, që përfshijnë karburantet, cigaret dhe pijet, do të sjellin 74.7 miliardë lekë, rreth 3.7 miliardë më shumë se një vit më parë. Rritja vjen nga zbatimi i kalendarit të ri për duhanin, indeksimi i periodik i niveleve të akcizës dhe efektet e rritjes së konsumit të karburanteve. Këtu, barrën e shtuar fiskale e mbartin sërish konsumatorët, përmes çmimeve më të larta të produkteve bazë të shportës.

Tatimet doganore, në rënie

Në kontrast me zërat e tjerë të të ardhurave, taksat doganore parashikohen në 10.3 miliardë lekë, me rënie 7.3% krahasuar me 2025, për shkak të ndryshimeve të origjinës së importeve dhe uljes së sasisë së disa mallrave të përpunuara. Kjo tregon një varësi më të ulët nga importet dhe ndikim më modest të tregtisë ndërkombëtare në buxhetin e shtetit.

Shqipëria, ende poshtë mesatares rajonale

Edhe pse trendi i arkëtimeve është pozitiv, Shqipëria mbetet nën mesataren e rajonit. Me 29.6% të PBB-së në të ardhura buxhetore, vendi është 3–4 pikë përqindje më poshtë se Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut, të cilat arrijnë mesatarisht 33–35% të PBB-së. FMN vlerëson se potenciali i Shqipërisë është të paktën +2.5% e PBB-së më shumë, nëse zbatohen plotësisht masat e Strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe nëse reformohet taksimi i pasurisë dhe TVSH-së.

Shpenzimet, një buxhet që nxit konsumin

Shpenzimet buxhetore arrijnë në 886.8 miliardë lekë, me rreth 55 miliardë lekë më shumë se në vitin 2025. Pjesa dërrmuese e rritjes u përket pagave, pensioneve dhe transfereve sociale, ndërsa shpenzimet për arsim, shëndetësi dhe inovacion ruajnë ritme minimale rritjeje.

Rritja e pagave, nisma më e kushtueshme e vitit

Shtesa më e madhe në anën e shpenzimeve lidhet me rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë dhe indeksimin 2.5% të pagave për administratën publike. Kostoja totale e këtij vendimi llogaritet rreth 10 miliardë lekë, ndërsa vetëm fondi për pagat e personelit qendror arrin 140.1 miliardë lekë, që përbën 5% të PBB-së. Në raport me PBB-në, ky është niveli më i lartë i shpenzimeve për paga që nga viti 2017 dhe përfshin rritje në sistemin arsimor, shëndetësor dhe në polici.

Mbrojtja sociale dhe pensionet, një e treta e buxhetit

Shpenzimet për mbrojtje sociale arrijnë në 204.1 miliardë lekë (7.3% e PBB-së), niveli më i lartë historik i këtij zëri. Fondi për indeksimin e pensioneve është 1.65 miliardë lekë, ndërsa bonusi mujor për pensionistët arrin 10 miliardë lekë.

Në krahun tjetër, ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar mbeten në 23.9 miliardë lekë, e njëjtë me një vit më parë, duke sinjalizuar synimin për të ruajtur stabilitetin e programeve sociale ekzistuese, pa zgjeruar më tej numrin e përfituesve. Shtohet gjithashtu fondi për ish të përndjekurit politikë (1.5 miliardë lekë) dhe bonuset për lindjet (2.3 miliardë lekë), që reflektojnë politikën e mbështetjes demografike.

Investimet kapitale 1.8 miliardë euro, por rendiment i ulët

Qeveria ruan një nivel të lartë investimesh publike me rreth 1,8 miliardë euro. Në 10 vitet e fundit, qeveria është treguar agresive me fonde gjithnjë e në rritje për investimet publike, por nga ana tjetër, problemet e vendit kanë mbetur ende të pazgjidhura në lidhje me infrastrukturën rrugore, kanalizimet dhe furnizimin me ujë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë në dukje se Shqipëria ka eficiencë të ulët të investimeve publike dhe zakonisht ato orientohen në objekte pa ndikim në përmirësimin e cilësisë së jetës. Fokusi kryesor për periudhën 2026 – 2028 mbetet te projektet strategjike të transportit, energjisë, digjitalizimit dhe sigurisë, në linjë me Planin e Rritjes të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.

Investimet më të mëdha janë parashikuar në Portin e ri të Durrësit, i cili ende nuk ka një kompani fituese dhe pjesa tjetër do të shpërndahet në Korridorin 8 dhe atë Veri-Jug. Një pjesë tjetër e fondeve do të përdoren për përmirësimin e rrjeteve rrugore dhe hekurudhore, sistemet e ujësjellës-kanalizimeve dhe zhvillimin rural, si dhe për përfundimin e spitaleve rajonale në Shkodër, Fier, Lushnjë e Pogradec.

16% e buxhetit 2026, për interesa borxhi dhe shpenzime operative

Shpenzimet për interesa parashikohen në 64.2 miliardë lekë (2.3% e PBB-së), ose 7.2% të shpenzimeve totale buxhetore, duke përfshirë një rezervë sigurie prej 6.3 miliardë lekësh për t’u mbrojtur nga rreziqet e luhatjeve në normat e interesit dhe kursin e këmbimit.

Ndërkohë, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes së institucioneve qendrore janë parashikuar në 81 miliardë lekë (2.9% e PBB-së) ose 9.1% e buxhetit total do të përdoren për mbështetjen e skemave të fermerëve, mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare, programet e nxitjes së punësimit, sigurinë kibernetike dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, arsimit dhe sportit.

Bashkitë marrin 11% të buxhetit 2026

Shpenzimet e buxhetit vendor do të jenë 97.7 miliardë lekë, duke u rritur me 9% krahasuar me vitin 2025. Pesha e tyre në ekonomi do të arrijë në 3.52% të PBB-së, kundrejt 3.4% në vitin 2025 dhe 2.3% në vitin 2015. Në 2026, buxheti vendor zë 11% të shpenzimeve totale buxhetore nga 10% që zinte në vitin 2025.

Transferta e pakushtëzuar për bashkitë do të jetë 27.8 miliardë lekë, ndërsa fondet totale që do të kalojnë nga buxheti i shtetit drejt pushtetit vendor do të arrijnë në 47.3 miliardë lekë, rreth 9.7% më shumë se një vit më parë. Këtu përfshihen 13.8 miliardë lekë transfertë sektoriale për funksionet e reja, 5.5 miliardë lekë për rritjen e pagave dhe 200 milionë lekë grant performance për nxitjen e performancës në qeverisjen vendore.

Arsimi, financim minimal, pa një reformë të re strukturore

Buxheti për arsimin përfshin vetëm rritjen e pagave të mësuesve dhe financime modeste për infrastrukturë shkollore. Për vitin 2026 do të financohen 64 miliardë lekë për arsimin sa 7.3% e shpenzimeve totale buxhetore. Ndonëse programi “Shkolla e së Ardhmes” përmendet si prioritet, nuk ka rritje të dukshme në fondet për kurrikulat, kërkimin shkencor apo teknologjinë mësimore.

Në relacion theksohet mbështetja për libra falas dhe disa programe të përfshirjes sociale, por mungon një strategji e gjerë për arsim profesional dhe digjitalizim universitar, fusha që janë identifikuar nga BE-ja si thelbësore për integrimin ekonomik.

Në terma përqindjeje, arsimi publik në Shqipëri mbetet nën 3% të PBB-së, një tregues që nuk e përmbush objektivin kombëtar të Strategjisë së Zhvillimit dhe integrimit 2021–2030, që synon 4.5% deri në fund të dekadës.

Shëndetësia, përmirësime të pjesshme, pa rritje reale të kapaciteteve

Në fushën e shëndetësisë, buxheti parashikon 82.3 miliardë lekë, me rritje 2.8% në krahasim me 2025. Risitë janë të përqendruara në barnat onkologjike, financimin e ndërhyrjeve për rikonstruksionin e gjirit dhe investime të kufizuara në spitale rajonale dhe maternitetet e Lushnjes, Fierit e Shkodrës.

Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij fondi përdoret për shpenzime operative dhe paga, jo për pajisje, teknologji apo infrastrukturë moderne. Në një kohë kur sistemi shëndetësor përballet me mungesë specialistësh, emigrim të mjekëve dhe infrastrukturë të vjetruar, buxheti mbetet më tepër korrigjues sesa transformues. Fondi për rimbursimin e barnave është planifikuar në 13.5 miliardë lekë, një nivel dukshëm më i lartë se sa fondet e parashikuara për vitet e mëparshme.

Ky fond ka për qëllim të mbulojë rimbursimin e barnave për pacientët që u përkasin skemave të sigurimeve shëndetësore, duke përfshirë barnat kronike dhe ato të specializuara, përveç barnave onkologjike.

Megjithatë, edhe me këtë rritje, nevojat reale të vendit për barnat mbeten të larta. Shqipëria ka një prevalencë të konsiderueshme të sëmundjeve kronike si diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet onkologjike, që kërkojnë furnizim të vazhdueshëm me barna. Raportet e FSSH-së dhe të institucioneve shëndetësore tregojnë se shpesh, fondet aktuale nuk mbulojnë plotësisht kërkesën, duke sjellë mungesa të barnave në farmaci, ose vonesa në trajtim./Monitor.al


Shtuar 16.11.2025 08:29