Nga Judith Goers, BILD
Në Evropë, sëmundja konsiderohej pothuajse e zhdukur – por tani ka raportime për raste të reja të gangrenës së gazit në frontin ukrainas.
Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, që i referohet të dhënave nga mjekë ushtarakë ukrainas, tashmë janë regjistruar disa raste të kësaj infeksioni bakterial, i njohur kryesisht që nga Lufta e Parë Botërore.
Sipas mjekëve, sëmundja mund të përhapet me shpejtësi, sepse evakuimi i ushtarëve të plagosur po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Arsyeja: ushtria ruse po përdor në mënyrë të qëllimshme dronë (për shembull në rajonin e Zaporizhjës), të cilët sulmojnë këdo që guxon të dalë në terren të hapur.
Kjo e zgjat jashtëzakonisht shumë kohën e evakuimit – shpeshherë për disa javë – duke e bërë shumë të vështirë sigurimin e kujdesit mjekësor të duhur për të plagosurit.
Gangrena e gazit është një infeksion i plagëve që mund të jetë vdekjeprurës, i cili shkatërron indet e trupit dhe shkakton dhimbje të forta.
Bakteri shkaktar, Clostridium perfringens, gjendet pothuajse kudo – sidomos në tokë – dhe hyn në trup përmes plagëve të ndotura. Nën lëkurë formohen flluska gazi që shkaktojnë një tingull si “kërcitje” kur preken.

Veçanërisht gjatë Luftës së Parë Botërore, kjo sëmundje ishte shumë e frikshme në llogore. Sipas vlerësimeve, mbi 100.000 ushtarë gjermanë kanë vdekur prej saj. Sot në Gjermani regjistrohen vetëm rreth 100 raste të gangrenës së gazit në vit.
Megjithatë, sipas “Telegraph”, sanitarët në Ukrainë po përballen gjithnjë e më shpesh me këtë infeksion, por në qendrat e stabilizimit nën tokë (shpesh në bunkerë ose në bodrume të ndërtesave të braktisura) mund të bëjnë shumë pak për ta trajtuar. Arsyeja nuk është vetëm mungesa e kushteve higjienike, por edhe mungesa e materialeve mjekësore – sepse ushtria ruse sulmon rregullisht autokolonat e furnizimeve mjekësore.
Koha është një faktor vendimtar në trajtimin e gangrenës së gazit: personi që prekët nga kjo sëmundje duhet zakonisht të dërgohet menjëherë në spital, ku trajtohet me antibiotikë të fuqishëm përmes serumit – dhe shpesh duhet të hiqet i gjithë indi i infektuar.
Por, përveç vështirësive të mëdha që sjell evakuimi i rrezikshëm, sanitarët ukrainas po përballen edhe me një problem tjetër serioz: rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve tek ushtarët – një pasojë e drejtpërdrejtë e luftës. Arsyeja: për shkak të vështirësive në furnizime, po përdoren masivisht antibiotikë me spektër të gjerë (që veprojnë kundër më shumë se një lloj bakteri).
Pasojë tragjike: ushtarë të plagosur, të cilët normalisht mund të kishin shpëtuar (p.sh. përmes një amputimi), po vdesin ende në fushëbetejë. Se aa ukrainas kanë humbur jetën në luftë që nga fillimi i saj, kjo mbetet e paqartë. Së fundmi, në shkurt, presidenti Volodymyr Zelensky kishte deklaruar për 45.000 të rënë dhe 390.000 të plagosur.
