Pasditën e djeshme, Shqipëria ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Andorrës, e planifikuar të luhet në datën 13 nëntor në Andorra.
Kuqezinjtë do të zbresin në fushë për ndeshjen e 13 nëntorit, ku fitorja është padyshim detyrim për skuadrën tonë, ndërkohë që vetëm 3 ditë më vonë do të luhet ndeshja ndaj Anglisë.
Kuqezinjtë do të rikthehen në Tiranë, pas ndeshjes dhe do të përgatisin takimin kundër anglezëve, e planifikuar të luhet në “Air Albania” më 16 nëntor.
GRUMBULLIMI- Skuadra është grumbulluar në Barcelonë të Spanjës, aty ku edhe do të qëndrojë deri në një ditë para ndeshjes, e më pas do të udhëtojë drejt qytetit ku do të zhvillohet ndeshja. Duke parë që nuk ka fluturime direkte nga Tirana për në Andorra, kuqezinjtë kanë menduar që të grumbullohen në Spanjë për këtë ndeshje të rëndësishme ku do të përgatisin takimin deri në detaje, pasi mund të vuloset gjithçka.
STËRVITJA E PARË- Kuqezinjtë kanë zbritur në fushë pasditen e djeshme, ku kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore. Grupi ka qenë i cunguar në stërvitjen e parë, pasi kanë munguar Strakosha, Bajrami dhe Mirlind Daku. Sipas asaj që vetë FSHF ka komunikuar, të tre futbollistët janë bashkuar me skuadrën mbrëmjen e djeshme dhe do të jenë të gatshëm për stërvitjen që do të zhvillohet sot. Ndërkohë, Arbër Hoxha dhe Berat Gjimshiti janë stërvitur individualisht. Të dy lojtarët janë aktivizuar me klubet e tyre të dielën dhe stafi ka menduar t’i ketë në stërvitje individuale në mënyrë që të rikuperohen për stërvitjen e sotme, që pritet të jetë me skuadër të plotë.
BILETAT- Interesimi për ndeshjen Andorra-Shqipëri është i jashtëzakonshëm dhe natyrisht, tifozët shqiptarë kanë treguar një interes të madh. Një fitore e jona, me shumë gjasa na kualifikon për në “Play Off”, ndërkohë që të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët tonë, janë shitur. Vetëm pak orë pasi kanë dalë në shitje, u njoftua se biletat kanë përfunduar. Veç tribunës së dedikuar për Shqipërinë, pritet që në stadium të ketë më shumë tifozë shqiptarë sesa vendës, pasi janë blerë bileta nga kuqezinjtë në çdo tribunë.
GJENDJA- Futbollistët nuk kanë shfaqur probleme në seancën e parë stërvitore duke qenë në gjendje optimale, pavarësisht stërvitjeve individuale që kanë krye. Të njëjtën gjë, pritet të bëjnë edhe lojtarët që u bashkuan me skuadrën më vonë se të tjerët.

