Ditën e sotme, në Bashkinë Tepelenë, ka nisur procesi i numërimit të votave, pas disa vonesave fillestare që lidhen me mungesat e anëtarëve të Partisë Demokratike në komisionet e qendrave të votimit.
Raportohet se pavarësisht këtyre problematikave, procesi është hapur pasi u plotësua kuorumi i nevojshëm për funksionimin e komisioneve.
Risia e këtyre zgjedhjeve në Tepelenë, është përdorimi për herë të parë i Inteligjencës Artificiale (AI) në procesin e numërimit të votave.
Ky aplikim, do të ketë karakter eksperimental dhe rezultatet e dalë nga AI nuk do të kenë vlerë zyrtare, por do të shërbejnë për të testuar efikasitetin dhe besueshmërinë e sistemit për zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë mënyrë, në Tepelenë po zhvillohen dy procese të paralela numërimi: njëri tradicional, nga komisionet, dhe tjetri i automatizuar, nëpërmjet teknologjisë së inteligjencës artificiale.
Në garën për kryebashkiak të Tepelenës janë Gramoz Sako, kandidat i Partisë Socialiste, dhe Gabriel Guma, i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike.
