“Shqiponja” e Tiranës “fluturoi” në Kukës! Dhuratë e Lazim Destanit, i cili u nderua me Çelësin e Qytetit

Në Kukës u zhvillua një ceremoni solemne për inaugurimin e monumentit “Shqiponja”, një vepër artistike voluminoze që prej dites se djeshme, do të qëndrojë në hyrje të qytetit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin Kukësin me Rrugën e Kombit dhe me zonën e Hasit.

Kjo vepër arti është një dhuratë nga filantropi tetovar Lazim Destani, i njohur për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të projekteve kulturore dhe kombëtare shqiptare.

Në ceremoninë e organizuar me pjesëmarrjen e institucioneve vendore, morën pjesë kryetari i Bashkisë së Kukësit Albert Halilaj, ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, pas prerjes së shiritit, z. Lazim Destani, shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe theksoi se ndien krenari që monumenti “Shqiponja” ka gjetur vend në një qytet simbol të bashkimit shqiptar.

“Kjo Shqiponjë fluturoi nga Tirana për t’u vendosur këtu, sepse siç duket, shqiponjat i duan malet e larta”, – u shpreh ai.

Duke kujtuar rrënjët e tij nga Bozovca e Tetovës, Destani shtoi se me Kukësin e ndan vetëm një kodër dhe se ndien lidhje shpirtërore me këtë qytet, i cili prej dekadash përfaqëson mikpritjen dhe bujarinë shqiptare.

Në shenjë vlerësimi për dashurinë dhe kontributin e tij të vazhdueshëm për Kukësin, kryetari i bashkisë Albert Halilaj i dorëzoi Lazim Destanit Çelësin e Qytetit, simbol i mirënjohjes dhe respektit të përbashkët.

“Kukësi është qyteti që i bashkon të gjithë shqiptarët përmes Rrugës së Kombit. Falë njerëzve si z. Destani, ne ndërtojmë ura bashkimi dhe kujtese kombëtare”, – deklaroi Halilaj.

Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko, vlerësoi gjestin e Destanit si shembull të rrallë të filantropisë dhe përkushtimit ndaj identitetit kombëtar.

Monumenti “Shqiponja” është realizuar fillimisht në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe tashmë është vendosur në Kukës, në trekëndëshin simbolik mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai është shoqëruar me elementë ndriçimi dekorativ dhe përbën një pikë të re identitare për qytetin.

Në përfundim të ceremonisë, z. Destani theksoi se kjo vepër nuk është thjesht një monument arti, por një shenjë e bashkimit dhe e aspiratave të përbashkëta të shqiptarëve kudo që janë.

“Për Kukësin, për Shqipërinë dhe për të gjitha trojet tona uroj zhvillim dhe përparim shoqëror e kulturor. Të palëkundur le të ecim drejt integrimit në Bashkimin Europian, sepse shqiptarët, përveç gjeografisë, këtu kanë historinë dhe përkatësinë e tyre kulturore”, – u shpreh ai.