Euro ka pësuar rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun ditën e martë, duke prekur një minimum të ri historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 96.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi i këmbimit vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore, me 2.2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e Euros, ndërsa kërkesa për blerje është e dobët.
Kjo ka sjellë rënie të mëtejshme të nivelit të kursit dhe sidomos të çmimit në shitje (ask) të ofruar nga bankat.
Burimi i prurjeve valutore, është i vështirë të identifikohet në kohë reale. Hipotezat kryesore ngelen prurjet e lidhura me turizmin dhe me investimin në pasuri të paluajtshme.
Në treg ngelet sidoqoftë i fortë perceptimi për ndikimin e lartë edhe të prurjeve informale të valutës.
Të dhënat e Bilancit të Pagesave treguan se deficiti i llogarisë korrente u rrit për tremujorin e dytë të vitit, me 19% me bazë vjetore, por, për të gjithë 6-mujorin 2025, ai ngeli në rënie, 3.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
As blerjet e vazhdueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë nuk e kanë frenuar dot rënien e mëtejshme të Euros.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro.
Këto shifra tregojnë qartë për ofertën e lartë të Euros në tregun valutor. Në mungesë të blerjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të monedhës europiane do të ishte në nivele edhe më të ulëta.
Paralelisht, rënia e Euros dhe forcimi i monedhës vendase në vitet e fundit është ndikuar paralelisht edhe nga politika fiskale më shtrënguese, me ulje të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.
Për të tretin vit radhazi, balanca buxhetore po qëndron pozitive në pjesën më të madhe të vitit.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në fund të 9-mujorit 2025 suficiti buxhetor kishte vlerën e 47.1 miliardë lekëve.
Megjithatë, suficiti paraqitet në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në rënie me 32%.
Zhvlerësimi i Euros, bën më të lirë importin e mallrave dhe shërbimeve dhe vlerësohet se ka qenë një ndër faktorët që ka përcaktuar nivelet e ulëta të inflacionit në dy vitet e fundit. Por, nga ana tjetër, rënia e Euros ndikon negativisht eksportet e mallrave dhe shërbimeve shqiptare dhe ul konkurrueshmërinë e tyre./Monitor