“Ngjarje e papranueshme”, Bardhi reagon për rastin e avokatit Ulian Bajrami: Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas ndalimit të avokatit Ulian Barjami, i cili u arrestua dy ditë më parë pas një debati të ashpër me prokurorin në sallën e gjyqit.

Bardhi e cilëson ngjarjen si “tregues të qartë se Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor”, ndërsa nënvizon se një akt i tillë është i papranueshëm për një vend që aspiron Bashkimin Evropian.

“Keqpërdorimi i urdhër-arresteve ndaj avokatëve që kërkojnë zbatimin e ligjit, na kujton të kaluarën kur profesioni i avokatit ishte i ndaluar,” shkruan Bardhi.

Avokati Ulian Barjami është liruar këtë të hënë, ndërsa Bardhi kërkon reflektim urgjent nga institucionet e drejtësisë që raste të tilla të mos përsëriten.

Postimi i Gazment Bardhit:

Në një shtet të së drejtës, roli i avokatëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve është i pazëvëndësueshëm. Në këtë kuptim, arrestimi i një avokati, pas një debati të tensionuar me përfaqësuesit e organit të akuzës në sallën e gjyqit, është një ngjarje e papranueshme. Në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, akte të tilla janë tipare të qarta që Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor.

Ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor, KLP dhe KLGJ, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në precedentë që ngushtojnë hapësirat profesionale të mbrojtjes efektive së avokatëve. Avokatët, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët, kanë një rol thelbësor në garantimin e procesit të rregullt gjyqësor dhe çdo cënim i aktivitetit të tyre profesional duhet të marrë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga organet kompetente.

Keqpërdorimi i urdhër-arresteve ndaj avokatëve që kërkojnë aplikimin e filtrave të ligjshmërisë qoftë nga Prokuroria, ashtu edhe nga Gjykata, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore, na kujton të shkuarën aspak të lavdishme kur profesioni i avokatit u ndalua me ligj.


Shtuar 20.10.2025 19:40