BIRN: Një “kandidat” për Tiranën, i krijuar nga Inteligjenca Artificiale

Një grup ekspertësh të teknologjisë së informacionit, kanë sfiduar partitë politike të përfshirë nga ethet e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës, duke afruar në garë një kandidat digjital.

Denisa Kele, Tomi Kallanxhi dhe Besmir Semanaj, njoftuan të martën se kanë shpallur kandidaturën e parë me Inteligjencë Artificiale në zgjedhjet vendore, të quajtur TirANA (Tirana Algorithmic Neural Assistant).

Nisma i referohet precedentit të krijuar nga Kryeministri Edi Rama, kur emëroi si anëtare të kabinetit të tij ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, një algoritëm që deri dje u jepte shërbime online qytetarëve në portalin e-albania.

“Pas këtij projekti qëndron një ekip i gjerë ekspertësh nga fusha të ndryshme , teknologji, urbanistikë, mjedis, transport, ekonomi, drejtësi dhe shërbime publike, të cilët besojnë se qyteti i Tiranës ka nevojë për një qasje të re, të bazuar mbi transparencë, efikasitet dhe llogaridhënie”,- shkruajnë ekspertët e AI-së në postimin e tyre në facebook.

Por nisma nuk duket se është vetëm një tentativë për të ironizuar, apo bërë paralelizëm me ministren virtuale të Ramës.

“Qëllimi ynë nuk është vetëm të bëjmë një paralelizëm me Diellën, edhe pse krahasimi lind vetvetiu. Ne po testojmë kufijtë ligjorë për të parë nëse ekziston mundësia që një entitet i tillë të regjistrohet në KQZ”, – i tha BIRN-it, Semanaj, njëri prej autorëve të algoritmit.

Ai shtoi se ishin në kontakt me juristë për të identifikuar hapësira ligjore edhe pse ishin të ndërgjegjshëm se kjo do të ishte shumë e vështirë ose e pamundur.

“Megjithatë, synimi ynë është të krijojmë një precedent, që më vonë të shtyjë drejt ndryshimeve ligjore”,- shtoi ai.

E pyetur nga BIRN mbi kandidaten e krijuar me IA, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i tha BIRN se çështje që lidhet me regjistrimin e subjekteve zgjedhore apo kandidatëve shqyrtohet vetëm në momentin kur paraqitet zyrtarisht një kërkesë ose aplikim, në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ndërsa shtoi se nuk mund të shprehet për situata hipotetike apo të parashikuara në media.

“Megjithatë, ligjërisht, e drejta për tu regjistruar si kandidat në zgjedhje u takon vetëm shtetasve shqiptarë që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor”, tha Komisioni.

“Nëse një rast i tillë paraqitet zyrtarisht për shqyrtim, KQZ do ta trajtojë në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe kompetencat që i njeh ligji”, shtoi ai.

Duke krahasuar krijesën e tyre virtuale me atë të qeverisë, Semanaj, thotë më tej se ndryshe nga Diella kandidatja digjitale për Tiranës i nënshtrohet standardeve transparente për publikun, ku “çdo qytetar të ketë mundësinë ta shohë kodin, të monitorojë burimin e të dhënave dhe të verifikojë funksionimin”.

“Ky është shembulli që japim se si do të duhej të ishte Diella, ndryshe nga ajo që ekziston sot, ku kodi nuk dihet, burimet nuk janë transparente dhe procesi është i mbyllur”,– thekson ai.

Rama krijoi zhurmë kur në prezantimin e ekipit të ri qeveritar, deklaroi se i besonte një portofol ministri shteti një algoritmi të quajtur Diella, e cila sipas tij do të ishte përgjegjëse për prokurimet publike, një sektor që shihet si gangrenë korrupsioni në qeverisje.

Ky vendim u kritikua si një vendim që nuk kishte bazë ligjore, por Presidenti i Republikës e përfshiu ministren artificiale në dekretin e tij për emërimin e Ramës si kryeministër, ku i përcakton atij edhe “përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale”.


Shtuar 13.10.2025 09:00