Vrasja në sallën e gjyqit e Astrit Kalasë, Prokurorët kërkojnë thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme: Të garantohet siguria fizike dhe dinjiteti i magjistratëve

Një grup prokurorësh, kanë dorëzuar zyrtarisht një kërkesë për thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, duke kërkuar që në qendër të diskutimeve të jenë masat për përmirësimin e sigurisë fizike dhe mbrojtjen e dinjitetit profesional të magjistratëve.

Kjo nismë vjen pas ngjarjes tragjike të vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit, Astrit Kalaja, e cila ka tronditur thellë opinionin publik dhe komunitetin e drejtësisë në vend.

“Ngjarja e fundit e rëndë ka nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë, brenda dhe jashtë institucioneve të drejtësisë. Kjo situatë kërkon reflektim të menjëhershëm dhe veprim konkret institucional”, thuhet në kërkesë.

Prokurorët shprehen se mungesa e reagimit të unifikuar institucional përballë rreziqeve që cenojnë jetën dhe integritetin e magjistratëve, është një problem i thellë dhe i rrezikshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Kjo nuk është më një çështje vetëm personale apo profesionale. Është një emergjencë institucionale që kërkon përgjigje të përbashkët dhe vendimmarrje të koordinuar nga të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë”, thuhet më tej në dokument.

Kerkesa:

Kërkesë për thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë për diskutimin e çështjeve të sigurisë fizike dhe mbrojtjes së figurës dhe dinjitetit të magjistratëve

Të nderuar,

Ne, të nënshkruarit prokurorë të Republikës së Shqipërisë, duke u mbështetur në nenin 113 të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe në nenet 54–56 të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, kërkojmë thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Kjo kërkesë vjen si pasojë e ngjarjes tragjike të humbjes së jetës së një magjistrati (gjyqtari) gjatë ushtrimit të detyrës, e cila ka tronditur të gjithë trupën e drejtësisë dhe ka nxjerrë në pah boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë, brenda dhe jashtë institucioneve të drejtësisë. Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm institucional dhe një vendimmarrje kolektive, në mënyrë që magjistratët të mos jenë më të ekspozuar ndaj riskut fizik apo institucional në kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese.

Megjithëse nenet 111–116 të ligjit nr. 115/2016 parashikojnë mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve për qëllime zgjedhore (zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së dhe të Shkollës së Magjistraturës), vetë ekzistenca e këtij organizmi në ligj përbën njohje formale të tij si organ kolegjial përfaqësues i trupës së prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Asnjë dispozitë ligjore nuk ndalon që kjo mbledhje të thirret edhe për çështje të tjera me interes të lartë publik, profesional apo institucional.

Përkundrazi, parimet kushtetuese të pavarësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë (neni 147 i Kushtetutës dhe nenet 2, 3 e 4 të ligjit nr. 115/2016) kërkojnë që trupa e magjistratëve të ketë mundësinë të vetorganizojë qëndrime kolektive për situata që ndikojnë drejtpërdrejt ushtrimin e detyrës dhe sigurinë personale të anëtarëve të saj.

Ngjarja tragjike e vrasjes së një magjistrati gjyqtar në sallën e gjyqit, në krye të detyrës, përbën një rast të jashtëzakonshëm që tejkalon kufijtë e çështjeve të zakonshme të administrimit të drejtësisë. Në këtë rrethanë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin moral dhe institucional për të reaguar përmes thirrjes së Mbledhjes së Përgjithshme, me qëllim koordinimin e një përgjigjeje të unifikuar ndaj rreziqeve që prekin sigurinë e magjistratëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.

Ky interpretim është në përputhje me frymën e ligjit dhe praktikën ndërkombëtare, ku organet vetëqeverisëse të sistemit të drejtësisë mblidhen jo vetëm për çështje zgjedhore, por edhe për emergjenca institucionale që kërkojnë përgjigje të përbashkët.

Qëllimi i kësaj mbledhjeje është diskutimi dhe shqyrtimi i gjendjes aktuale të sigurisë në ambientet e prokurorive dhe i garancive për mbrojtjen e jetës, integritetit dhe pavarësisë funksionale të magjistratëve, përfshirë:

Sigurinë fizike në ambientet e prokurorive (kontrollin e hyrjeve, pajisjet e sigurisë, praninë e policisë gjyqësore dhe të policisë së shtetit);

Kushtet e transportit dhe lëvizjes së prokurorëve, si dhe nevojën për kompensim apo mbështetje institucionale për transportin dhe akomodimin;

Rishikimin e standardeve të sigurisë në raport me praktikat e Bashkimit Evropian dhe udhëzimet e CEPEJ dhe Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë;

Marrjen e masave konkrete për garantimin e kushteve minimale të sigurisë, konfidencialitetit dhe dinjitetit në ushtrimin e detyrës.

Në këtë kuadër, vlerësojmë të domosdoshme që në mbledhje të trajtohet edhe çështja e gjuhës së urrejtjes ndaj magjistratëve, prokurorëve, e manifestuar herë pas here nga përfaqësues të politikës, mediat dhe portalet online.

Kjo dukuri cenon autoritetin institucional dhe pavarësinë funksionale të trupës së magjistratëve, duke krijuar një klimë presioni dhe pasigurie në ushtrimin e detyrës. Është e nevojshme që sistemi i prokurorisë, përmes organeve të veta përfaqësuese, të mbajë një qëndrim të qartë institucional ndaj këtij fenomeni dhe të ndërmarrë nisma për forcimin e mbrojtjes së figurës, dinjitetit dhe sigurisë së magjistratëve.

Në përputhje me ligjin, kjo kërkesë mbështetet nga jo më pak se një e dhjeta e trupës së prokurorëve të Republikës.

Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e lartë dhe urgjencën që kjo situatë ka krijuar në sistemin e akuzës, kërkojmë që mbledhja të thirret brenda afatit më të shkurtër të mundshëm, në mënyrë që vendimet e saj të shërbejnë si bazë për propozime konkrete ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme, për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha nivelet.


Shtuar 8.10.2025 11:25