Thunberg iu përgjigj Trump: Faleminderit që kujdesesh për shëndetin tim, duket se edhe ti ke probleme

Greta Thunberg i është kundërpërgjigjur Donald Trump, i cili dje deklaroi se duhet të vizitojë një mjek sepse ka “probleme me zemërimin”, në një deklaratë sot, duke sugjeruar se ai mund të jetë personi që ka këto probleme.

“Dëgjova se Donald Trump ka shprehur edhe një herë pikëpamjet e tij lajkatuese për karakterin tim dhe e vlerësoj shqetësimin e tij për shëndetin tim mendor”, shkroi aktivistja 22-vjeçare suedeze në një postim në Instagram të martën në mëngjes.

“Do të vlerësoja çdo rekomandim që keni për t’u marrë me këto të ashtuquajtura “probleme të menaxhimit të zemërimit”, pasi – duke gjykuar nga historiku juaj mbresëlënës – duket se edhe ju përballeni me to”, shtoi ajo.

Presidenti amerikan u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale në lidhje me deportimin e Greta Thunberg dhe aktivistëve të tjerë pro-palestinezë që u përpoqën të thyenin bllokadën detare të Gazës nga Izraeli.

“Ajo është thjesht një shkaktare problemesh”, tha Trump, duke iu referuar aktivistes suedeze. “Do të thuash që ajo nuk shqetësohet më për mjedisin, tani shqetësohet për këtë?”

“Ajo ka një problem me menaxhimin e zemërimit, mendoj se duhet të vizitojë një mjek,” vazhdon Trump. “Ajo është shumë e zemëruar, është shumë e çmendur.”


Shtuar 7.10.2025 15:44