Këtë të mërkurë, në një postim në rrjetin social “Facebook”, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës së sigurisë në vend, duke akuzuar qeverinë për bashkëpunim me kartelët kriminalë.
Ai theksoi se krimi i organizuar ka depërtuar në struktura shtetërore dhe po rrezikon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
Sipas Balliut, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka vërtetuar skemat e pastrimit të parave që përfshijnë edhe zyrtarë të lartë dhe shtoi më tej se Partia Demokratike do të zbardhë publikisht këto lidhje.
Postimi i plotë i Klevis Balliu:
Situata dramatike në vend, ku krimi i organizuar dhe kartelët janë bërë ortakë me politikën, ka arritur të cenojë drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka certifikuar tashmë ekzistencën e një skeme kriminale të pastrimit të parave të kartelëve, përmes bashkëpunimit të tyre me qeverinë.
Përballë kësaj gjendjeje alarmante, anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes do të demaskojnë publikisht këto lidhje, duke vepruar në mbrojtje të interesit kombëtar.