Botohet në Fletoren Zyrtare shkarkimi i Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës

Është botuar sot në Fletoren Zyrtare vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Vendimi është marrë dje (25 Shtator) nga Këshilli i Ministrave, ndërsa Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt, duke u përballur me akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Kujtojmë se më 23 Shtator, me votë unanime, këshilltarët e mazhorances dhe opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës votuan pro shkarkimit të Erion Veliajt nga drejtimi i bashkise se Tiranës.

Mbledhja në Këshillin Bashkiak u parapri nga një letërkëmbim mes Këshillit Bashkiak dhe Veliajt, pasi kryebashkiaku i burgosur kërkoi që t’i jepej e drejta të fliste në mbledhje dhe kontestoi procedurat e ndjekura nga këshilli si antiligjore. Edhe disa këshilltarë të opozitës e cilësuan të drejtë ligjore mbrojtjen e tij para këshillit, por kërkesa e Veliajt u hoq poshtë nga ish-bashkëpunëtorët e tij.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës dhe i projektuar si pasardhës i tij në krye të Partisë Socialiste, ndodhej në mandatin e tretë të tij kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme më 10 Shkurt me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij.

Më 10 shtator të këtij viti, SPAK dërgoi në gjyq Veliajn, Xoxën, ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka dhe 15 persona të tjerë. Ndaj Veliajt janë ngritur 13 akuza, përfshi ato për korrupsion, pastrim parash dhe deri te mbajtja e sendeve të paligjshme në qeli gjatë paraburgimit.

Veliaj iu prezantua për herë të parë publikut shqiptar në vitin 2004 me drejtimin e lëvizjes Mjaft, një lëvizje që udhëhoqi protestat kundër qeverisë socialistë në pushtet drejtuar nga Fatos Nano.

Me largimin e PS-së nga pushteti, Veliaj la aktivizmin civil dhe iu fut politikës duke themeluar një parti të re politike G99 dhe duke garuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 por pa arritur të futet në parlament.

Ai iu bashkua PS-së në vitin 2011 dhe pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, kryeministri Edi Rama e emëroi ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe më pas e mbështeti si kandidat socialist për Tiranën.


Shtuar 26.09.2025 21:30