Merkato e futbollistëve shpeshherë zvarritet për muaj të tërë pa rezultate konkrete, por në disa raste marrëveshjet mbyllen shpejt, sidomos kur futbollistët janë drejt fundit të kontratës.
Një situatë e tillë mund të favorizojë Genoa-n, që është gati të hyjë në garë për mesfushorin shqiptar Ernest Muci.
Futbollisti 23-vjeçar aktualisht aktivizohet me Trabzonspor-in në huazim, ndërsa kartoni i tij i përket Besiktas-it.
Në fund të këtij sezoni, Mucit i mbetet vetëm një vit kontratë me klubin turk, gjë që i jep “Grifonit” mundësinë për të provuar ta marrë me një marrëveshje përfundimtare.
Muci është një mesfushor ofensiv, i aftë të luajë edhe si anësor në të dyja krahët, një profil që i përshtatet kërkesave taktike të trajnerit Patrick Vieira.
Për Genoa-n, ai shihet si një përforcim interesant dhe me potencial për të bërë diferencën në Serie A. /R.Lika