Sherri mes punonjësve brenda spitalit “Shefqet Ndroqi”, zbardhet dëshmia e infermierit të plagosur

Këtë të martë rreth orës 11:20, në ambientet e Spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, një konflikt mes dy punonjësve, ka degraduar në përdorimin e mjetit prerës (thikë).

Sipas informacioneve, shtetasi Mikel Osmani, me detyrë infermier, ka mbetur i plagosur nga kolegu i tij Dashamir Çajka,  me detyrë laborant radiolog.

E gjithë ngjarja ndodhi në ambientet e spitalit Shefqet Ndroqi. Gazetarja Klodiana Lala, ka siguruar dëshminë e Mikel Osmanit, i cili rrëfeu para oficerëve të policisë se sherri nisi për motive banale.

“Ne kemi bërë një debat verbal për motive banale”, mësohet të jetë shprehur ai.

Sakaq, Policia dyshon se dy kolegët janë zënë për një pacient.

Ndërkohë, autori është identifikuar si Dashamir Çajka me detyrë mjek radiolog, i cili rezulton dhe president i ekipit të peshengritjes së Kamzës.

Ky i fundit është shpallur në kërkim, pasi menjëherë pas ngjarjes është arratisur.

Mësohet se Çajka, ka pasur më herët edhe një debat të ashpër me Presidentin e Peshëngritjes, Elez Gjozaj.