Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, zhvilloi të premten një takim me Christoph Israng, drejtorin e Departamentit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph.
Të lidhura
None found
Diskutimet u përqendruan te bashkëpunimi dypalësh në sektorin e mbrojtjes, duke përfshirë trajnimet, stërvitjet e përbashkëta, programet e shkollimit, prokurimin e pajisjeve ushtarake dhe avancimin e industrisë së mbrojtjes.
Palët trajtuan gjithashtu situatën aktuale të sigurisë në rajon, si dhe rolin dhe kontributin e Kosovës në garantimin e sigurisë rajonale dhe më gjerë, bëri të ditur Maqedonci.
Christoph Israng shprehu vlerësimin e tij për angazhimin aktiv të Kosovës në çështjet që lidhen me sigurinë evropiane dhe globale. Ai rikonfirmoi njëkohësisht mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Sipas ministrit Maqedonci, marrëdhëniet e bashkëpunimit me Gjermaninë në fushën e mbrojtjes kanë arritur nivelin më të lartë deri tani.
“Gjermania mbetet partner strategjik i Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, deklaroi Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes shprehu në përfundim mirënjohjen për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë, si dhe për angazhimin e saj në zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.





