Gjatë vizitës së tij në Budapest, kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka kërkuar angazhimin e Hungarisë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE.
Të lidhura
None found
Vizita ka nisur me një takim me zëvendësministrin hungarez të Punëve të Jashtme, Laszlo Gyorgy Velkey, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar.
Zulfaj shprehu mirënjohje për kontributin e Hungarisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë përmes misionit të NATO-s, KFOR.
“Hungaria është kontribuuesi i madh i misionit”, ka thënë ai.
Gjatë bisedës, ai vlerësoi edhe programin e bursave “Stipendium Hungaricum”, falë të cilit qindra studentë nga Kosova kanë ndjekur studimet në universitetet e Hungarisë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua integrimit evropian të Kosovës, në prag të publikimit të Pakos së Zgjerimit nga Komisioni Evropian, i parashikuar për fundin e tetorit.
Kryenegociatori kosovar i bëri thirrje Hungarisë të mbështesë marrjen e statusit kandidat nga Kosova dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai nënvizoi se zgjerimi duhet të mbështetet te meritat e secilit vend, duke nisur nga respektimi i vlerave themelore të BE-së dhe përafrimi me politikën e saj të jashtme.
Sipas Zulfajt, Kosova i përmbush këto kritere përmes demokracisë, lirive, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në përmbyllje të takimit, ai falënderoi Hungarinë për mbështetjen e dhënë dhe vlerësoi angazhimin e saj në grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, duke kërkuar përkrahjen e Budapestit për hapat e ardhshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.





