Në masë sigurie “arrest shtëpie”, por kapet në Elbasan. Është fjala për Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, I cili është kapur në shkelje të masës së sigurisë, gjatë një kontrolli rutinë të kryer nga Policia Rrugore në qytetin e Elbasanit në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Luleve”.
Efektivët e qarkullimit rrugor kanë ndaluar për kontroll një automjet tip Audi, drejtuar nga shtetasja E. S., ndërkohë që në makinë ndodhej si pasagjer edhe Valter Bami. Ky i fundit mësohet se u ka thënë oficerëve të policisë që të mos e vononin me procedurat e kontrollit, pasi ishte në hasmëri.
Pas verifikimeve, policia ka konstatuar se Bami ndodhej në kundërshtim me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, e cila i ishte caktuar më herët nga autoritetet gjyqësore. Si pasojë e shkeljes së masës, Valter Bami është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, së bashku me shtetasen E. S dhe automjetin me të cilin po udhëtonin.
Valter Bami është një nga të dyshuarit për përfshirje në atentatin e ndodhur në Larushk të Krujës, ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Ramazan Sino, kunati i Gentian Bejtjas – një tjetër emër i përfolur në botën e krimit.