Sot në Kuvend qeveria e re dhe programi, seanca maratonë që pritet të zgjasë mbi 24 orë

Këtë të enjte, kryeministri Edi Rama, do të paraqesë në Kuvend programin e ri qeverisës për mandatin e katërt, në një seancë që nis në orën 10:00 dhe pritet të zgjasë më shumë se 24 orë.

Kjo është seanca e tretë plenare brenda kësaj jave.

Sipas vendimit të marrë një ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve, çdo deputet do të ketë në dispozicion nga 10 minuta për të folur, ç`ka e shton kohëzgjatjen e debatit në mënyrë të konsiderueshme.

Pas fjalës së kryeministrit, foltorja i kalon opozitës, ku pritet të marrë fjalën Sali Berisha ose Gazment Bardhi, në varësi të vendimmarrjes brenda grupit.

Rregullorja e Kuvendit parashikon që vetëm kryeministri dhe kreu i opozitës, gëzojnë të drejtën të flasin pa kufizim kohe ose në barazi kohore me njëri-tjetrin.

Diskutimet pritet të zgjasin deri në orët e vona të natës, duke bërë që seanca të ndërpritet dhe të rifillojë ditën e premte.

Në përmbyllje të debatit, do të zhvillohet votëbesimi i qeverisë së re, përfshirë kryeministrin dhe 16 ministrat, përmes miratimit të dekreteve të Presidentit Bajram Begaj.


Shtuar 18.09.2025 07:49