Në përballje me një krizë të thellë strehimi që po përkeqësohet çdo vit, qeveria spanjolle ka marrë vendimin për të ndërmarrë masa të forta. Si hap i parë konkret, do të largohen nga platformat online mbi 53,000 apartamente pushimi të paligjshme, me synimin për t’i integruar ato në tregun e rregullt të pasurive të paluajtshme.
Kryeministri Pedro Sánchez theksoi gjatë një aktiviteti partiak se këto banesa, që nga 1 korriku kanë aplikuar për numrin e detyrueshëm të regjistrimit, nuk kanë marrë miratimin për shkak të shkeljeve të rregullave ligjore. Në shumë prej tyre janë zbuluar parregullsi të shumta, duke u bërë një problem i madh për strehimin e qytetarëve.
Qytetet ku është evidentuar numri më i lartë i apartamenteve të paligjshme janë Sevilja, Marbeja, Barcelona, Malaga dhe Madridi. Kjo nismë pjesë e një strategjie më të gjerë nga qeveria e majtë ka për qëllim rikthimin e funksionit të vërtetë të strehimit, ndalimin e dhënies së paligjshme me qira të banesave turistike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat urbane.
Spanja përballet me mungesë të madhe strehimi, dhe organizatat e qiramarrësve akuzojnë edhe rritjen e apartamenteve turistike si një nga shkaktarët kryesorë. Në prill, mijëra qytetarë dolën në protesta në mbarë vendin me thirrjen “Le t’i japim fund biznesit me strehimin”, duke kërkuar ndalim të spekulimeve, ndërtim të banesave sociale dhe ndalimin e kthimit të shtëpive në apartamente pushimi.
Këto veprime dhe protestat tregojnë qartë tensionin mes turizmit masiv dhe nevojave sociale për strehim në Spanjë, një sfidë që autoritetet synojnë ta adresojnë me përkushtim.