Një kameraman në Kosovë është arrestuar, pasi ishte duke filmuar në një shkollë në Prishtinë, ku studiojnë edhe vajzat e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Osmani ka theksuar se për pesë vite me radhë vajzat e saj kanë ndjekur shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, përkundër sfidave të mëdha infrastrukturore e të sigurisë në atë institucion.
Reagimi i plote:
REAGIM NDAJ PËRNDJEKJES SË VAZHDUESHME, TË KUNDËRLIGJSHME E TË RREZIKSHME QË MEDIA TË CAKTUARA I BËJNË VAJZAVE TË MIA TË MITURA
Për pesë vite me radhë, vajzat e mia kanë shkuar në shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë. Jam falënderuese përjetësisht ndaj mësueses së tyre të shkollës fillore, e cila, sikurse edhe për çdo nxënës tjetër, është siguruar që vajzat tona të mësojnë maksimalisht e të marrin hapat e parë e të sigurt drejt zhvillimit të tyre profesional. Falënderuese edhe ndaj pjesës tjetër të stafit të shkollës dhe udhëheqjes së shkollës për bashkëpunimin e tyre me prindërit.
Përgjatë këtyre pesë viteve, sikurse edhe nxënësit e tjerë në këtë shkollë, edhe vajzat e mia janë përballur me probleme me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokada totale të toaleteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë (me rreth 4 mijë nxënës në shkollë, rreth 40 nxënës në një klasë), konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës, e çka jo tjetër.
Por asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë. Asnjëherë nuk kanë shkruar për plot politikanë të tjerë, e në veçanti për gazetarët e shumtë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda e jashtë vendit.
E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëvë të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot.
Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë. Kjo praktikë ekziston kudo në botë.
Por çka dihet qartë është se një pjesë e rëndësishme e këtij rreziku shkaktohet pikërisht nga disa prej këtyre të ashtuquajtur gazetarë. Në cilin vend demokratik ekspozimi dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve bie brenda suazave të lirisë së shprehjes? Në asnjë.
Fëmijët e mitur, të kujtdo qofshin ata, nuk janë subjekt i interesit publik politik, por imazhet dhe incizimet e paautorizuara të tyre në rrethana private shkaktojnë rrezik për sulme, kanosje e kidnapime eventuale, duke i bërë publike rutinat dhe lokacionet e tyre – përkundër vlerësimit të policisë se një gjë e tillë është në kundërshtim me rregullat e sigurisë.
Prandaj, do të ndërmarr çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj. Këto incizime të paautorizuara, shpesh deri në nivel të përndjekjes, për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata.
Ndryshimi i lokacionit të shkollës është bërë për shkak të problemeve të shkaktuara nga niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe për shkak të ndryshimit të lokacionit ku jetojmë, ndërkohë që shkolla “Ismail Qemali” tashmë është shumë larg nga vendbanimi ynë.
Për fund, si Presidente nuk kam asnjë kompetencë të vetme në çështje që lidhen me sistemin arsimor, përveç se të jap sugjerime – gjë që e kam bërë vazhdimisht. Ato bien ekskluzivisht në kompetencë të nivelit lokal (komunës) dhe atij qendror (qeverisë). Kjo nuk do të thotë që nuk janë bërë përpjekje e përmirësime, mirëpo sfidat janë ende tepër të mëdha e të vazhdueshme.