Princi Harry ka mbërritur në Clarence House në Londër, ku pritet të takohet me Mbretin Charles, në një takim të rrallë mes babait dhe të birit, i pari që nga shkurti i vitit 2024.
Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes pjesëtarëve të familjes mbretërore, pasi dyshja nuk janë parë ballë për ballë për më shumë se një vit. Kontakti i fundit i tyre ishte në muajin shkurt, kur Harry udhëtoi për në Mbretëri pas njoftimit publik të Mbretit Charles se ishte diagnostikuar me kancer.
Gjatë vizitës së tij në Britani, Duka i Sussex ka marrë pjesë në disa aktivitete me karakter humanitar dhe përkujtimor. Të mërkurën në mëngjes, ai vizitoi Qendrën për Studime të Lëndimeve nga Shpërthimet në Imperial College London, një institucion me të cilin ai ka lidhje të hershme.
Të hënën, në ditën e parë të qëndrimit të tij katërditor në Londër, Harry vendosi lule pranë varrit të mbretëreshës Elizabeth II, në trevjetorin e ndarjes së saj nga jeta.
Ndërkohë, marrëdhëniet me vëllain e tij, Princin William, mbeten të ngrira. Të dy ndodhen aktualisht në Mbretëri, por nuk ka asnjë shenjë se do të takohen. William ndodhet në Cardiff ku po viziton një qendër për shëndetin mendor, në kuadër të Ditës Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve.
Ndërkohë, fondacioni i Princit Harry, Archewell, ka dhuruar një shumë prej 500 mijë dollarësh për të ndihmuar fëmijët e plagosur në Ukrainë dhe Gaza, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare si WHO dhe Save the Children.
Ky takim me Mbretin Charles shihet si një moment i rëndësishëm në përpjekjet për të rindërtuar marrëdhëniet mes Princit Harry dhe familjes mbretërore.