Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë bëhet kryeministre e përkohshme në Nepal

Nepali po përballet me një krizë të thellë politike dhe shoqërore, pas dorëheqjes së kryeministrit K.P. Sharma Oli, e detyruar nga protestat masive të të rinjve të njohur si “GenZ”.

Në një zhvillim të papritur, Sushila Karki, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë dhe e vetmja grua që ka mbajtur këtë post në historinë e vendit, ka pranuar të marrë drejtimin e qeverisë tranzitore, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit e protestuesve.

Në një intervistë publike, 73-vjeçarja u shpreh se vendi ka nevojë për unitet dhe maturi, ndërsa theksoi se është e gatshme të japë kontributin e saj për të nxjerrë Nepalin nga kriza:

“Të gjitha palët duhet të bashkohen për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo nuk është kohë për përçarje”, tha Karki.

Ushtria ndërhyn mes protestave dhe kaosit

Përshkallëzimi i situatës detyroi shefin e ushtrisë, gjeneralin Ashok Raj Sigdel, të zhvillojë bisedime me figura kyçe të vendit, përfshirë edhe përfaqësuesit e lëvizjes së të rinjve, të cilët udhëhoqën protestat që përfshinë vendin gjatë javëve të fundit.

Sipas zëdhënësit të ushtrisë, Rajaram Basnet, gjenerali Sigdel u ka bërë thirrje të gjitha palëve “të qetësohen dhe të angazhohen në dialog”.

Presidenti i Nepalit, Ramchandra Paudel, gjithashtu ka kërkuar bashkëpunim të gjerë për të gjetur një zgjidhje paqësore, ndërkohë që në vend është vendosur ndalim qarkullimi i përkohshëm, i monitoruar rreptësisht nga forcat e armatosura.

Tanket dhe automjetet e blinduara janë vendosur në rrugë, ndërsa makina të djegura dhe dyqane të plaçkitura dëshmojnë për tensionin e ditëve të fundit.

Mbi 13,500 të burgosur janë arratisur – tre efektivë policie të vrarë

Policia e Nepalit ka konfirmuar se më shumë se 13,500 të burgosur janë arratisur gjatë trazirave që përfshinë institucionet e vuajtjes së dënimit. Në përplasje janë vrarë tre policë, njoftoi zëdhënësi i policisë, Binod Ghimire.

Shkaku i revoltës – papunësia dhe korrupsioni

Sipas Reuters, shumica e protestuesve ishin të rinj të zhgënjyer nga paaftësia e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të krijuar mundësi ekonomike. Prej vitesh, mungesa e vendeve të punës ka detyruar miliona nepalezë të migrojnë drejt Malajzisë, Lindjes së Mesme dhe Koresë së Jugut, kryesisht për punë të rënda në ndërtim, për të mbajtur familjet në atdhe.

Nepali, i vendosur mes Indisë dhe Kinës, përjeton pasiguri politike dhe ekonomike që prej vitit 2008, kur protestat popullore çuan në rrëzimin e monarkisë.

India po ndjek nga afër zhvillimet në vendin fqinj. Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh me urgjencë mbrëmjen e së martës, ndërsa kryeministri Narendra Modi u shpreh në rrjetin X:

“Stabiliteti, paqja dhe mirëqenia e Nepalit janë me rëndësi thelbësore për ne. I bëj thirrje të gjithë vëllezërve dhe motrave nepalezë që të ruajnë rendin dhe qetësinë.”


Shtuar 10.09.2025 18:40