Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në “Air Albania” një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht përballë Letonisë. Sfida e kualifikuesve të Botërorin 2026 është një “finale” e parakohshme për kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo, duke pasur parasysh situatën në grup.
Çdo rezultat përveç fitores thuajse nxjerr Shqipërinë jashtë loje për një nga dy vendet e para në grup dhe do të duhen mrekulli në ndeshjet e mbetura. Kësisoj, trajneri Silvinjo ka orientuar kuqezinjtë me forca të shumta në repartin e avancuar.
Ashtu siç pritej, në ndeshjen me Letoninë ka një ndryshim radikal në krahasim me rreshtimin ndaj Gjibraltarit. Duke filluar nga porta e deri në sulm ka ndryshime futbollistësh.
Bie në sy se Hysaj ka ruajtur vendin në të djathtën e prapavijës e cila pastaj ka ndryshuar plotësisht me Strakoshën në portë dhe dyshen Ajeti-Gjimshiti në qendër e Mitajn nga e majta.
Në mesfushë është kthyer treshja tashmë e zakonshme titullare me Shehun, Asllanin e Laçin. Në sulm, Bajrami kthehet majtas e Broja në të djathtën, kurse Manaj është titullar në qendër.