Rama: Apartamentet që shiten 2 herë do konfiskohen, ndërtimi do përfundohet nga shteti

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të paketës ligjore në mbrojtje të pronës dhe territorit, Edi Rama paralajmëroi se do të ketë ndëshkime penale për të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë të ndërtimeve pa leje.

Ai paralajmëroi se për apartamentet që shitet dy herë, ndërtuesit jo vetëm do të përfshihen në listën e zezë, por do t’u konfiskohet ndërtimi që më pas do të vijojë të zhvillohet nga shteti.

“Fenomen tjetër është ndërtimi i paligjshëm do të ngarkojmë me përgjegjësi të gjithë nga arkitektet deri te supervizorët, pasi kur projekti transformohet të gjithë janë fajtorë përfshirë ndërtuesit, që të gjithë do të përfshihen në listën e zezë.

Shiten apartamente deri 2 herë dhe masa për abuzuesit do të jetë shumë e rëndë, përveç listës së zezë do të jetë imediat edhe konfiskimi. Ndërtimi do të ndërtohet nga shteti.

E rëndësishme është të bllokohet zinxhiri. Ndërtuesit nuk veprojnë të vetëm, por janë edhe arkitektët që pranojnë në heshtje ndryshimet dhe nuk njoftojnë autoritet. Nëse një arkitekt pranon deformimin e projektit dhe nuk bën denoncimin do të jetë vepër penale.

Kjo nuk është vetëm çështje pasoja të menjehershme, por në gjenerata. Nuk mund t’u lemë atyre godina të deformuara nga ata që numërojnë vetëm metrat katror.

Nuk do të lidhje me dritat apo ujin, nëse godina nuk merr certifikatën e përdorimit. Kjo nuk do të tolerohet më. Deri në marrjen e certifikatës nuk do të ketë as drita as ujë”, tha Rama.