Nuredin Dumani u transportua nën masa të rrepta sigurie në urgjencën e QSUT, zbulohet arsyeja se pse i penduari i drejtësisë u shtrua në spital!

Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, është shtruar sot me urgjencë në QSUT, pasi ka shfaqur probleme serioze me zemrën, raporton gazetarja e News24 Klodiana Lala.

Burime pranë spitalit bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore kërkoi ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të rrepta sigurie gjatë transportit dhe qëndrimit të tij në spital.

Në lidhje me këtë situatë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po ndjek nga afër zhvillimet, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet shëndetësore për të monitoruar gjendjen e Dumani.

Nuredin Dumani është një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë në vitet e fundit, i përfshirë në hetime të shumta mbi grupe kriminale të strukturuara dhe ngjarje të rënda kriminale në vend.

Dëshmitë e tij kanë ndihmuar SPAK në çmontimin e disa prej organizatave më të fuqishme kriminale.

Jo më larg se sot Fitim Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, deklaroi se i shumëkërkuari Talo Çela është vrarë në Elbasan.

Në një intervistë, Fitim Dumani u shpreh se Talo Çela është vrarë duke ngrënë bukë nga vëllezërit Çopja, në restorantin që këta të fundit kanë në pronësi në Elbasan.

“Talo Çelën e kanë vrarë duke ngrënë bukë. Në restorant në Elbasan. U vra nga vëllezërit Çopja. Vetë restoranti ishte i vëllezërve. E vranë që mos të fliste. E vranë që të humbnin gjurmët”, është shprehur ndër të tjera, Fitim Dumani gjatë një interviste për gazetarin Flamur Vezaj në podcastin “MaShqip”.

Mes të tjerash ai pohoi se konflikti mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, dikur miq të ngushtë, nisi për një borxh prej 10 mijë euro.

“Janë prish për 10 mijë euro që Altin Ndoci i kishte Dashnorit. Altini ishte ushtar i Talos. Dora e parë që njihej me Çopjat“, tha ai.

Prej rreth 3 vitesh, nuk dihet më asgjë rreth Talo Çelës, i cili është një nga më të kërkuarit e policisë.


Shtuar 6.09.2025 20:40

Tags: ,