Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme për të dosjen e SPAK të koduar “Shpirti”. Enkeled Alibeaj shprehet se, Partia Demokratike pretendon se ka patur të drejtë në të gjitha akuzat e hedhura nga Habilajt e deri tek shoqëruesit e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Teksa po sipas PD vendi është kanabizuar me lejen e kryeministrit Edi Rama.
“Veprimet e tyre dëshmojnë se si, me urdhër politik, i gjithë shteti ishte vendosur në shërbim të trafikut të drogës, nga mbrojta e parcelave, te ngarkimi i gomoneve deri te fikja e radarëve. Fatkeqësisht, ndryshe nga sa deklaroi policia, shoqëruesit e Tahirit Agustin Deda dhe Hekuran Marku, nuk janë nën arrest.
Arsyet për këtë janë të vetëkuptueshme. Arrestimi i tyre ekspozon Tahirin dhe Ramën. Ky mashtrim i kryer për të mbrojtur urdhëruesit e kanabizimit të vendit, nuk është as i pari dhe as nuk do të jetë i fundit. Por përsëri koha do t’i jap të drejtë Partisë Demokratike, sikurse na ka dhënë të drejtë për një tjetër mashtrim publik, atë të radarëve.
Të tre mashtruan për fikjen me porosi të radarëve. Sikurse dëshmon hetimi i antimafias italiane, radarët e një shteti anëtar të NATO-s janë fikur në shërbim të trafikut të drogës dhe fikja e tyre shpërblehej me 15 mijë euro.
Përballë hetimit të nisur nga Antimafia Italiane, Rama hesht. Hesht sepse çdo gjë që ka ndodhur në vitet e kanabizimit të Shqipërisë është bërë me lejen e Edi Ramës. Nëse nuk do të ishte kështu, Rama nuk do të kishte votuar në Parlament për të mos i dhënë leje prokurorisë për të arrestuar Saimir Tahirin në vitin 2017. Nëse nuk do të ishte kështu, Rama nuk do të kërcënonte, transferonte, hiqte nga puna dhe burgoste oficerët e policisë që denonconin lidhjet e politikës me trafikun e drogës, si në rastin e Dritan Zaganit.
Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse kryeministri nuk do të lejonte që me urdhër politik shteti të kthehej në një ndërmarrje të prodhimit të hashashit, Shqipëria e vogël nuk do të renditej e para në Europë dhe e gjashta në Botë për prodhimin e hashashit, sikurse tregojnë edhe raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nëse nuk do të ishte kështu, Edi Rama nuk do të lejonte pastrimin e parave të drogës në përmasat e tmerrshme që ka marrë në Shqipëri, duke kapur shifrën 1.6 miliardë euro pikërisht në vitet e lulëzimit të kanabisit në mbarë vendin, sikurse tregon raporti i Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar. Për çdo shqiptar e vërteta është fare e qartë, asgjë nuk ka ndodhur pa lejen e Edi Ramës.”– tha Alibeaj.