‘Reform UK’ premton dëbime masive të azilkërkuesve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me gomone.
Sipas planit, personat që mbërrijnë mund të arrestohen menjëherë, të ndalohen në baza të vjetra ushtarake të RAF-it dhe, nëse arrihen marrëveshje, të riatdhesohen në vende si Afganistani, Eritrea dhe të tjera që janë burime të rëndësishme mbërritjesh.
Shumë nga këto masa mund të përballen me sfida ligjore dhe kundërshtime politike. Laburistët i kanë quajtur këto plane “ëndrra në diell”, ndërsa konservatorët thonë se ‘Reform UK’ po riciklon idetë e tyre.
‘Reform UK’ deklaron se planet e tyre do të kushtojnë 10 miliardë paund për pesë vjet, por se kjo do t’i kursejë qeverisë para, pasi nuk do të shpenzohet më për hotele për azilkërkuesit dhe shpenzime të tjera.
Sipas projektligjit të propozuar për Migracionin e Paligjshëm (Dëbime Masive), partia e Farage do të konsideronte dërgimin e emigrantëve në territore jashtë detit të Britanisë si ishulli Ascension, si një opsion rezervë.
Gjithashtu do të merrej në konsideratë përdorimi i “vendeve të treta” si Ruanda dhe Shqipëria për të strehuar azilkërkuesit.
Skema e mëparshme e qeverisë konservatore për Ruandën u përball me sfida të shumta ligjore dhe vetëm katër persona u dërguan atje përpara se të anulohej nga qeveria laburiste.
Farage i tha ‘The Times’ se nëse njerëzit e dinë se do të ndalohen dhe do të dëbohen, “do të ndalojnë së ardhuri shumë shpejt”.
“Qëllimi i këtij ligji është dëbimi masiv,” tha Farage për ‘The Times’.
“Kemi një krizë të madhe në Britani. Nuk është vetëm një kërcënim për sigurinë kombëtare, por po shkakton edhe zemërim publik që, sinqerisht, nuk është larg nga trazirat”.
“Së ka vetëm një mënyrë për të ndalur njerëzit që të hyjnë në Britani: t’i ndalosh dhe t’i dëbosh.”
Farage gjithashtu kërkon që Britania të dalë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR).
ECHR u krijua në vitin 1950 dhe përcakton të drejtat dhe liritë që u takojnë qytetarëve në 46 shtetet nënshkruese.
Ky traktat është një pjesë qendrore e ligjit për të drejtat e njeriut në Mbretërinë e Bashkuar dhe është përdorur për të ndalur përpjekjet për të dëbuar emigrantë që konsiderohen të paligjshëm në vend.