Ditën e sotme, Finlanda është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të deputetit të ri Eemeli Peltonen, i cili ndërroi jetë në ambientet e Parlamentit në Helsinki.
Lajmi u konfirmua nga zyra e komunikimit të Parlamentit, e cila njoftoi se Peltonen, ka ndërruar jetë dhe se komuniteti parlamentar ndan dhimbjen me familjen e tij.
Sipas tabloidit Iltalehti, bëhet fjalë për vetëvrasje të kryer brenda godinës së Parlamentit.
Drejtori i Sigurisë së legjislativit, Aaro Toivonen, i tha Yle se nuk e kundërshtonte këtë informacion.
Policia e Helsinkit, njoftoi se thirrja e urgjencës është marrë në orën 11:06 paradite. Hetimet po kryhen si “verifikim i shkaqeve të vdekjes”, ndërsa autoritetet theksuan se nuk ka dyshime për ngjarje kriminale.
“Po zhvillohet një mision, me autoritetet e shpëtimit, policinë dhe shërbimet e emergjencës në vendngjarje. Nuk mund të them më shumë se kaq në këtë fazë”, u shpreh drejtori i sigurisë së ndërtesës Aaro Toivonen.
Ngjarja ka shkaktuar trishtim të thellë në opinionin publik dhe në qarqet politike në Finlandë.