Kërkoi t`i merrte mandatin e deputetit Arjan Ndojës, Kolegji Zgjedhor pushon çështjen e Andia Ullirit

Ditën e sotme, në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e Andia Ullirit për mandatin e deputetit, e cila pretendonte rrëzimin e vendimit të KQZ-së që i dha mandatin Arjan Ndojas.

Gjatë seancës, Ulliri u përfaqësua nga avokati Indrit Sefa, ndërsa Ndoja ishte përfaqësuar nga avokati Rexhë Margjeka.

Avokati i Ndojas kërkoi që Ulliri të mos legjitimohej si palë ankimuese. Pas shqyrtimit të argumenteve, trupi gjykues vendosi pushimin e çështjes, duke u bazuar në moslegjitimizimin e Ullirit si paditëse.

Andia Ulliri, kishte ankimuar më parë vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, si dhe atë të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, që kishin rrëzuar kërkesën e saj me argumentin se lista e hapur dhe lista e mbyllur funksionojnë të ndara.

Ulliri kandidoi në listat e Partisë Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në qarkun e Durrësit dhe kërkonte mandatin për shkak të kuotës gjinore.