Gazetarët e Radio Televizionit të Kosovës dy muaj pa rroga, Qeveria Kurti miraton kërkesë për 2.5 kilionë euro kredi

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën ka marrë disa vendime, ndër to edhe aprovimin e kërkesës së Radio Televizionit të Kosovës për huamarrje pas situatës së vështirë financiare ku punonjësit kanë mbetur pa paga.

Është “miratuar në parim kërkesa për huamarrje deri në 2,540,000 euro të Radio Televizionit të Kosovës për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik”.

Më herët, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi ka njoftuar punonjësit e transmetuesit publik për gjendjen e rëndë financiare, ndërkohë që ka bërë të ditur se i ishte drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesë për një kredi.

“Për shkak të pamundësisë për të komunikuar drejtpërdrejt me themeluesin tonë, Kuvendin e Kosovës, ne iu kemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilën kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë për tejkalimin e gjendjes.

Gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar alternativa të shumta, derisa kemi arritur bashkërisht te një modalitet i ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituimin e Kuvendit”, thuhej në reagimin e Hysen Hundozit.


Shtuar 15.08.2025 18:26