Caktohet data e seancës për Metën në GJKKO

Më 8 gusht mbahet seanca në GJKKO, për shqyrtimin e kërkesës së përfaqësuesve ligjorë të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Kjo kërkesë u paraqit të mërkurën nga avokatët e Metës, duke nisur nga fakti që Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj Metës dhe i ka komunikuar akuzat.

Sipas përfaqësuesve ligjor “nevojat për ta mbajtur Metën akoma nën paraburgim nuk kanë më asnjë kuptim procedural”.

Ish-presidenti ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të shkuar, për dosjen CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Presidenti i PL akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Vetë Meta, i ka cilësuar akuzat si politike dhe se nuk ka asnjë fakt penal ndaj tij.


Shtuar 6.08.2025 15:01