Plas sherri në klubin “Lollipop” në Palasë, panik dhe të lënduar në mes të koncertit (VIDEO)

Mbrëmjen e djeshme, momente paniku dhe kaosi janë regjistruar në klubin e natës “Lollipop” në Palasë, ku po mbahej një koncert me praninë e shumë qytetarëve dhe të ftuarit special, këngëtarit Yll Limani.

Sipas dëshmive të të pranishmëve, ngjarja ka nisur pas një sherri mes dy grupeve brenda lokalit, i cili ka degjeneruar në përplasje fizike.

Dyshohet se gjatë konfliktit është përdorur edhe armë zjarri, ç`ka ka rritur ndjeshëm ndjenjën e frikës mes publikut.

Në kushtet e pasigurisë, stafi i sigurisë ndërhyri për të larguar këngëtarin nga skena, ndërsa publiku u përfshi nga paniku.

Të pranishmit raportojnë se njerëzit filluan të vraponin drejt daljeve të emergjencës, duke shtyrë njëri-tjetrin në përpjekje për të dalë sa më shpejt jashtë.

Gjatë rrëmujës, shumë persona janë rrëzuar apo janë dëmtuar nga sendet e thyera në ambient.

“Tavolina, gota, shishe u përplasën në dysheme, plagosën njerëz. U pa gjak në dalje, njerëz të prerë nga qelqet”, – raporton një dëshmitar.

Sipas dëshmive, disa persona kanë mbetur të plagosur lehtë si pasojë e thyerjeve apo përplasjes me të tjerët në përpjekje për të dalë jashtë.

Shumë të pranishëm kanë humbur sende personale, telefona, çanta dhe para. Të gjithë të revoltuar nga mungesa e sigurisë dhe reagimit të vonuar të stafit të klubit.

“Është skandaloze që në një nga klubet më të njohura dhe më të shtrenjta të jugut, në kulmin e sezonit turistik dhe me praninë e të huajve, të përjetohen skena paniku dhe terrori”, shkruan një tjetër qytetar në denoncimin për JOQ.

Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga administrata e klubit apo nga autoritetet. Gjendja e personave të lënduar mbetet për t’u sqaruar, ndërsa nuk dihet ende nëse ka persona të arrestuar apo identifikime të qarta për autorët e incidentit.

Ngjarja ngre shqetësime serioze për sigurinë në mjediset e argëtimit në Shqipëri, veçanërisht në sezonin turistik kur prania e qytetarëve vendas dhe të huaj është e lartë.

 


Shtuar 19.07.2025 09:08