Situata në Theth vijon të jetë e tensionuar, ndërsa operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje po shoqërohet me përplasje mes banorëve, autoriteteve dhe tashmë edhe përfaqësuesve të opozitës.
Këtë të shtunë, deputetët demokratë të qarkut Shkodër, Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia, kanë mbërritur në fshatin malor për të mbështetur banorët që kundërshtojnë aksionin e IKMT-së.
Në terren ata janë përplasur me efektivët e policisë, përfshirë edhe drejtues të lartë të këtij institucioni.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Boçi shihet duke debatuar ashpër me një person që identifikohet si drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj.
“Çfarë drejtori je ti? Ku e ke bexhin”? – dëgjohet t’i thotë ai.
Në një moment tjetër, Boçi iu drejtohet efektivëve me fjalët: “Mos më kap me dorë, se ta mbështjell mirë, legen m…, e mendove mirë që më preke”?
Përplasja verbale përfshin dhe ofendime të tjera të drejtpërdrejta ndaj punonjësve të rendit.
Sipas raportimeve nga mediat, sherri ka nisur në momentin kur drejtori i ri i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, iu është drejtuar deputetëve me fjalët: “Ju tërheq edhe ju zvarrë”, gjë që ka ndezur situatën në vend.
Banorët e Thethit, prej disa ditësh kundërshtojnë prishjen e ndërtimeve pa leje, duke deklaruar se nuk kanë mundur të marrin leje ndërtimi për shkak të mungesës së certifikatave të pronësisë.
Ata kërkojnë zgjidhje institucionale dhe shtyrje të operacionit, por IKMT dhe policia kanë vijuar me ndërhyrjet.
Një ditë më parë, tensionet u përshkallëzuan pasi disa persona hodhën kokteje molotovi ndaj fadromave të IKMT-së dhe dogjën një urë në fshat.
Policia ndërhyri me forca të shtuara dhe sipas pamjeve filmike, efektivët kanë nxjerrë armët për të garantuar vijimin e aksionit.