Rama mbledh kryebashkiakët në Durrës, zbulohet axhenda e diskutimeve

Këtë të premte, kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë këtë të premte një takim me kryetarët e bashkive të vendit në qytetin e Durrësit.

Ky takim, do të fokusohet në një sërë temash kyçe që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e territorit dhe mirëqenien e qytetarëve:

Granti i Performancës dhe treguesit e financave vendore, si instrument për të lidhur performancën me financimin.

Paketa e Maleve – një ligj i ri për nxitjen e investimeve në zonat malore dhe agroturizëm.

Legalizimet dhe regjistrimi fillestar i pronave – përshpejtimi i proceseve në bashkëpunim me bashkitë.

Ligji për Administrimin e Bashkëpronësisë – sfida dhe detyra për garantimin e cilësisë së jetës në hapësirat e përbashkëta.

Roli i bashkive në procesin e integrimit evropian – ngritja e kapaciteteve dhe aksesi në fondet e BE-së.

Bujqësia 2030 – politikat e reja të mbështetjes për sipërmarrjet bujqësore në nivel vendor.

Takimi vjen në një moment kur vendi ndodhet në kulmin e sezonit veror, me një rritje të ndjeshme të fluksit turistik dhe sfida të shtuara për menaxhimin e territorit, shërbimeve publike dhe infrastrukturës vendore.

Gjatë ditëve të fundit, Rama ka kërkuar ndryshime në menaxhimin e qeverisjes vendore, duke kritikuar problematikat në disa qytete si Tirana, Vlora, Fieri apo Shkodra.


Shtuar 11.07.2025 10:03