VIDEO/ WBU diplomon brezin e parë të studentëve

Universiteti Western Balkans, si universitet i gjeneratës së 4-t, organizoi ceremoninë e parë të diplomimit, një ngjarje historike që shënoi përmbylljen me sukses të një kapitulli të rëndësishëm akademik për brezin e parë të studentëve të diplomuar. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, në prani të përfaqësuesve të lartë institucionalë, personaliteteve publike, stafit akademik dhe familjarëve të studentëve.

Fjalën e hapjes e mbajti Rektori i Universitetit Western Balkans, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e këtij momenti për institucionin, si dhe përkushtimin e universitetit ndaj cilësisë akademike, inovacionit dhe përgatitjes së profesionistëve të së ardhmes.

Më tej, fjalën përshëndetëse e mbajti Dr. Klodian Allajbeu, themelues i Universitetit Western Balkans dhe Spitalit Amerikan, njëkohësisht President i Dhomës së Tregtisë Britaniko-Shqiptare, i cili ndau vizionin që qëndron pas krijimit të këtij institucioni dhe rolin e tij strategjik në zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe më gjerë.

Ceremonia u nderua gjithashtu nga Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Z. Nicholas Abbott, i cili tha se bashkëpunimi që Universiteti Western Balkans ka me universitetet britanike, është një dëshmi e orientimit ndërkombëtar dhe standardeve të larta akademike të institucionit.

Pas fjalimeve zyrtare, u zhvillua ceremonia e ndarjes së diplomave, një moment kulmor dhe simbolik që shënoi zyrtarisht diplomimin e studentëve të parë të universitetit. Ngjarja u përmbyll me hedhjen tradicionale të kapeleve, një akt i mbushur me emocion, gëzim dhe krenari për përpjekjet, sakrificat dhe sukseset e secilit prej të diplomuarve.