Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar në rrjetet sociale pas ngjarjes tragjike në Shkodër, ku kapiteni 51-vjeçar Arben Anamali humbi jetën pasi shpëtoi nga mbytja dy turistë.
Kreu i shtetit e cilësoi Anamalin si një shembull heroizmi dhe modeli shoqëror që duhet nderuar.
“Nderim përjetë Arben Anamalit, kapitenit 51-vjeçar nga Shkodra për aktin heroik të shpëtimit të dy turistëve nga mbytja, duke dëshmuar një model shoqëror dhe shpirt heroik,” shkruan Presidenti Begaj.
Ai shprehu gjithashtu solidaritetin e tij me familjen e të ndjerit:
“Jam pranë familjarëve të tij në këto momente të vështira dhimbjeje.”
Ngjarja ka prekur opinionin publik, ndërsa shumë qytetarë dhe figura publike kanë vlerësuar aktin e jashtëzakonshëm të kapitenit që sakrifikoi jetën për të shpëtuar të tjerët.