Shkurtohen fondet për arsimin dhe shëndetësinë, rriten për infrastrukturën

Ndryshimet e mes-vitit të buxhetit 2025 që u miratuan pak ditë më parë nga parlamenti, rrisin më tej financimin për projektet e infrastrukturës, teksa fondet për arsimin dhe shëndetësinë u reduktuan në krahasim me buxhetin e fillim vitit.

Shqipëria ka nevoja të mëdha për financimin e kapitalit njerëzor, për të frenuar emigracionin dhe për të rritur produktivitetin nëpërmjet rritjes së cilësisë së dijes dhe shëndetit, por infrastruktura fizike vijon të mbetet prioritet i politikave publike.

Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë, ka përfituar një rritje prej 2.85 miliardë lekësh në krahasim me buxhetin fillestar, me buxhet total 76.88 miliardë lekë sipas Aktit Normativ nr. 6, me rritje prej 4% në raport me buxhetin fillestar.

Financimet më të mëdha janë përqendruar në transportin rrugor, me një shtesë prej 2 miliardë lekësh ose 6.6% më shumë, që tregon prioritet ndaj projekteve rrugore.

Furnizimi me ujë dhe kanalizimet kanë rritje të buxhetit me 864 milionë lekësh ose 6.1% më shumë.

Programi mbështetja për energjinë, ka rritje të financimeve me 200 milionë lekësh 6% në krahasim me buxhetin fillestar.

Transporti hekurudhor ka pësuar një ulje prej 393 milionë lekësh, ose 6.5%, që mund të tregojë ngadalësim të projekteve të reja në këtë sektor.

Nga ana tjetër për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, buxheti total është ulur me 100 milionë lekë në raport më buxhetin e fillim vitit.

Brenda ministrisë ka lëvizje të mëdha në zërat e buxhetore. Arsimi Universitar, ka pësuar një ulje prej 300 milionë lekësh ose -2%.

Në të kundërt, Fondet për shkencën janë rritur me 100 milionë lekë ose me 7%, një sinjal pozitiv për kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Gjithashtu, ndryshimet buxhetore të vitit 2025 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, reflektojnë një ulje të përgjithshme të buxhetit me rreth 1 miliard lekë (-1.3%) krahasuar me buxhetin fillestar.

Sektori më i prekur është kujdesi parësor. Rënia më e madhe në përqindjeje ka ndodhur te Shërbimet e Kujdesit Parësor, me një shkurtim prej 1.3 miliardë lekësh (-19.3%).

Kjo është një goditje e rëndë për hallkën e parë të kontaktit të qytetarëve, me sistemin shëndetësor dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në shërbimet ambulatore, qendrat shëndetësore dhe diagnostikimet e hershme.

Edhe Shërbimet e Shëndetit Publik, kanë pësuar një ulje të konsiderueshme prej 334 milionë lekësh (-6.7%).

Kjo mund të përfshijë ndërhyrje në fushata të vaksinimit, kontrollin e sëmundjeve infektive, apo mbikëqyrjen epidemiologjike./ Monitor


Shtuar 8.07.2025 08:48