E rëndë në Elbasan, një person gjendet pa shenja jete në ujërat e lumit Shkumbin

Paraditen e sotme, një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar i zonës.

Policia ka rrethuar zonën dhe për nxjerrjen e kufomës po kërkohet ndihma e polumbarëve.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur jo shumë larg nga qendra e qytetit të Elbasanit, pranë zonës së Katundit të Ri.

Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar amator i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet.

Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar.

Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave.

Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit të cilët janë në veprim, për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.

Derisa të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ka ende informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një mbytje aksidentale apo një ngjarje me motive kriminale.

Policia është në fazën fillestare të hetimeve dhe i bën thirrje qytetarëve që kanë dijeni për ndonjë person të zhdukur, të kontaktojnë menjëherë strukturat përkatëse.