TNS kundërshtari i Shkëndijës në raundin e parë të Ligës së Kampionëve

Shorti i hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës ka përcaktuar kundërshtarin e KF Shkëndija në raundin e parë eliminator të UEFA Ligës së Kampioneve – dhe është një emër që sjell kujtime të veçanta për kuqezinjtë, njofton Telegrafi.

Bëhet fjalë për kampionin e Uellsit, The New Saints FC (TNS), një skuadër që Shkëndija e ka përballuar edhe më parë në arenën evropiane. Në sezonin 2018, këto dy skuadra u ndeshën po në raundin e parë të Ligës së Kampioneve, ku Shkëndija dominoi në ndeshjen e parë në Shkup me rezultat 5:0, falë katër golave nga legjenda Besart Ibraimi.

Edhe pse humbën 4:0 në ndeshjen e kthimit në Uells, kuqezinjtë u kualifikuan dhe vazhduan një kampanjë të paharrueshme, që i çoi deri në “play-off” të Ligës së Evropës kundër Red Bull Salzburg dhe Rosenborg.

Tani, pas shtatë vitesh, historia përsëritet: Shkëndija dhe TNS do të përballen sërish në një duel evropian, me synime të reja dhe ambicie të larta. Takimi i parë do të luhet më 8 ose 9 korrik në Uells, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet një javë më pas në Shkup.

Skuadra e Shkëndijës aktualisht ndodhet në fazë përgatitore në Slloveni, ku përballjet miqësore do të shërbejnë për të ndërtuar formën optimale për këto sfida vendimtare në Evropë.

Përballja me TNS shënon nisjen e një tjetër kapitulli ambicioz për Shkëndijën, në një rrugëtim që synon kalimin e raundeve eliminatore dhe afrimin me fazën e grupeve në garat evropiane.


Shtuar 17.06.2025 16:48

Tags: