Vrasja e Martin Canit, është një tragjedi që ka tronditur thellë shoqërinë shqiptare. Ajo ka nxjerrë në pah problemet e dhunës mes të rinjve dhe mangësitë në sistemin arsimor dhe institucional.
“Martini nuk do të kthehet më”. Një pasdite e errët në Tiranë. Në lagjen e qetë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, heshtja e zakonshme u shua nga sirenat e ambulancave dhe britmat e tmerrit.
Ishte 18 nëntori vitit 2024, dita kur jeta e 14-vjeçarit Martin Cani u ndërpre brutalisht. Nxënës i shkollës 9-vjeçare, Martin Cani, doli nga klasa pas mësimit si çdo ditë tjetër.
Askush nuk do të kishte imagjinuar se atë pasdite ai do të bëhej viktimë e një sherri banal që kishte nisur në rrjete sociale. Sipas dëshmive, gjithçka ndodhi për pak minuta.
Në një rrugicë të ngushtë, një debat mes të rinjve eskaloi në një akt dhune të pakuptimtë. Një thikë u ngul dhe Martini nuk arriti t’i mbijetonte plagëve.
Banorët përreth treguan se skena ishte tronditëse. Fëmijët duhet të jenë në shkollë, jo në morg”, ky ishte slogani.
Policia arrestoi një të ri, Mario Përlleshin, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur gjithçka.
Ndërkohë nëna e Martinit, në studion e News24, ka folur në lidhje me një video të publikuara vetëm pak ditë më parë, ku shihen momentet e sherrit mes adoleshentëve dhe momente t e fundit të 14-vjeçarit, para se të ndërronte jetë shumë pranë shkollës Fan Noli.
“Kemi një dhimbje shumë të madhe. Prej kohësh isha me ilaçe depresioni. Pak nga pak po mundohem që dhimbjen ta kthej në forcë. Por u shfaq një video që nuk e dinim që ekzistonte.
U befasova sepse mendova mos ishte një video që e kishim parë,, ishte një tronditje psikologjike shumë e fortë. Në shtëpi isha vetëm unë, bashkëshorti dhe Henri.
Ia kam shpjeguar Henrit, dhe ai e ka kuptuar tashmë që Martini nuk jeton më.
Mundohemi ta mbajmë gjallë me kujtimet e tij të bukura.
Nuk e dinim më parë ekzistencën e videos. Edhe në gjyq nuk e dinim”, tha ajo.