Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky propozoi të mërkurën një armëpushim pa kushte me Rusinë deri në mbajtjen e një takimi midis udhëheqësve të vendeve, duke shtuar se Kievi është i përgatitur të takohet “çdo ditë” në Stamboll, Zvicër ose Vatikan. Por ky propozim nuk është pranuar nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili e ka quajtur kërkesën e Zelenskyt paradoksale pasi po ndërmerr sulme terroristë kundër Moskës.
Duke folur në një takim qeveritar, Putin argumentoi se Ukraina po ndërmerr sulme kundër infrastrukturës politike të Rusisë dhe në të njëjtën kohë po bën thirrje për pezullimin e operacioneve ushtarake për 30 ose 60 ditë. “Por si mund të zhvillohet një takim i tillë në këto kushte? Çfarë saktësisht duhet të diskutojmë?” pyeti ai.
Presidenti rus theksoi se çdo qetësi në armiqësi do të shfrytëzohej nga Kievi për të forcuar arsenalin e tij me ndihmën perëndimore, për të vazhduar rekrutimin e dhunshëm dhe për të organizuar sulme të reja. “Kush negocion me ata që investojnë në terrorizëm? Me terroristët? Dhe pse duhet t’i shpërblejmë duke u dhënë kohë të armatosen?” tha ai.
Putin iu referua konkretisht sulmeve që ndodhën në rajonet e Bryansk dhe Kursk pak para raundit të dytë të bisedimeve të paqes të propozuara nga Moska dhe të planifikuara të zhvilloheshin në Stamboll.
“Të gjitha krimet kundër civilëve, grave dhe fëmijëve u kryen qëllimisht për të shkatërruar procesin e paqes”, tha ai, duke akuzuar hapur palën ukrainase për sabotim sistematik.