Ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë zgjidhet presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock është zgjedhur presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Përmes një votimi të fshehtë të zhvilluar ditën e sotme të mbajtur në OKB, Baerbock ka siguruar 167 vota, 14 abstenime dhe 7 vota të tjera për një tjetër kandidate.

Zgjedhja e saj në seancën plenare para 193 vendeve anëtare të OKB-së është konsideruar formalitet, mirëpo votimi sekret është mbajtur, siç është raportuar, me kërkesë të Rusisë.

Annalena Baerbock do të ushtrojë detyrën e saj për një vit ndërsa inagurimi do të bëhet më 9 shtator, pak para se Asambleja e Përgjithshme e OKS-së të zhvillojë debatin e përgjithshëm.

“Kombet e Bashkuara janë të nevojshme më shumë se kurrë më parë”, tha ish-politikania e gjermane, duke shtuar se do të theksonte përshtatjen e OKB-së me sfidat e shekullit të 21-të, duke përfshirë reformimin e strukturës së saj për të ulur kostot dhe për të përmirësuar efikasitetin.

Baerbock tha gjithashtu se do t’i kushtonte vëmendje të madhe sigurimit që perspektivat e të gjitha rajoneve dhe grupeve të dëgjohen në procesin e reformës.

Baerbock, e cila si ministre e jashtme e Gjermanisë ishte pioniere e një “politike të jashtme feministe”, tha se prioritetet e saj të tjera kryesore në OKB do të përfshinin kushtimin e vëmendjes së veçantë krizës klimatike dhe sigurimin që organizata të jetë vërtet gjithëpërfshirëse.

“Puna jonë nuk mbaron në Nju Jork, Gjenevë, Nairobi apo Bon. Por ne duhet t’i sjellim diskutimet dhe komunikimin tonë më afër njerëzve”, tha ajo.


Shtuar 2.06.2025 21:54