Më 28 maj 2025, në ora 14:00, do të fillojë zyrtarisht implementimi i parimit të kontrollit të përbashkët “Hyrje – Hyrje” në pikë kalimin e përbashkët kufitar Glloboqicë – Jazhincë, ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit për media në ceremoninë e inaugurimit pritet të marrin pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, si dhe delegacione zyrtare nga të dyja vendet.
Ky është njëri nga dy pikat kufitare të parashikuara për kontroll të përbashkët, sipas Protokollit të Implementimit të Marrëveshjes së nënshkruar në nëntor 2024 gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Pikat e tjera përfshijnë kalimin kufitar Hani i Elezit – Bllacë.
Zbatimi i këtij parimi pritet të lehtësojë lëvizjen kufitare, të përshpejtojë procesin e kontrollit dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.