Meta-Idrizi morën 3 deputetë me rreth 8000 vota, Alimehmeti me mbi 16 mijë vota ngel jashtë Kuvendit

Në të katërtat zgjedhje të përgjithshme radhazi, Partia Demokratike vendosi të fusë brenda listave të saj ata kryetarë të partive aleate, të cilët pranuan të bëjnë koalicion parazgjedhor.

E njëjta situatë ndodhi edhe në zgjedhjet e 11 majit, kur disa forca politike, Partia e Lirisë, Partia Republikane, PDIU, PBDNJ dhe PAA u futën brenda listave të PD-së me përfaqësuesit e saj në listat e mbyllura

Por në një analizë të votave të marra në qarkun e Tiranës ku dy prej këtyre forcave politike patën kandidatë në listat e sigurta dhe kryetarët e tyre në listat e hapura, rezulton se ato kanë përfituar më shumë se sa PD-ja ka shtuar vota në shportën e koalicionit të djathtë.

Konkretisht, Partia e Lirisë ka futur dy deputetë të sigurt në listën e Tiranës, ndërsa kryetari i saj, Ilir Meta u fut në listën e hapur.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, rezulton se Meta ka marrë deri tani 7,092, kur mungojnë rreth 100 kuti dhe 42 mijë zarfe të Diasporës. Kjo do të thotë se me 7,092 vota, Meta ka përfituar dy deputetë të sigurtë në Kuvend vetëm në Tiranë.

Akoma më e keqe është analiza e votave të PDIU-së. Mesila Doda ishte në listën e sigurt të demokratëve, ndërkohë që Shpëtim Idrizi ka marrë 1,786 vota në listën e hapur.

E ndërsa Meta dhe Idrizi kanë futur 3 deputetë në listën e sigurt me 8,800 vota, jashtë Parlamentit mbeten ata që morën mijëra vota nga demokratët, Ilir Alimehmeti me mbi 16,000 vota, Asllan Dogjani me 6437 vota, Myslim Murrizi 5628 dhe Grigels Muçollari me 4724 vota.


Shtuar 17.05.2025 08:32

Tags: ,